Sami Lushtaku: Sovrani vendosi ndryshe, duhet ta respektojmë

07 tetor 2019 | 16:50

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku këto zgjedhje këtë parti e kanë renditur në vendin e tretë.

Ai ka thënë se nuk e kanë pritur këtë rezultat. Pavarësisht kësaj, Lushtaku, ka thënë se PDK-ja respekton vendimin e sovranit.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të mbajtura dje, nuk kanë dhënë rezultatet që ne kemi pritur. Alternimi i pushtetit është pjesë thelbësore e demokracisë, atëherë kur sovrani vendos ndryshe dhe ne duhet plotësisht të respektojmë vullnetin e tij. Dua të falënderoj qytetarët e Drenicës për mbështetjen masive plebishitare për PDK-në edhe në këto zgjedhje. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për të fituar zgjedhjet në nivel vendi. Tashmë, duhet të shikojmë nga vetja, për të përmirësuar gabimet tona, për t’u reformuar e konsoliduar, më qëllim që PDK të kthehet edhe më e fuqishme sasa ka qenë në të kaluarën”.

“Faleminderit të gjithë qytetarëve, anëtarëve të partisë, vullnetarëve, shtabit zgjedhor, komisionerëve e vëzhguesve, për punën dhe angazhimin e madh që kanë treguar që PDK të dalë fituese bindëse në Skenderaj dhe Drenicë. U jam mirënjohës gjithë jetën për besimin tuaj ndaj meje dhe Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Lushtaku.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Skenderaj në zgjedhjet e djeshme ka marrë mbi 76 për qind të votave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, një ditë…