Samiti i klimës COP27: Bota drejt ferrit klimatik

08 nëntor 2022 | 15:53

Në samitin e OKB-së për klimën COP27, që ka mbledhur rreth 120 udhëheqës botërorë në Sharm El Sheik të Egjiptit, dominuan thirrjet për të vijuar përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe problemeve globale financiare. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se lufta në Ukrainë është arsyeja pse duhet të veprohet shpejt.

“Siguria klimatike shkon krah për krah me sigurinë energjetike. Lufta e tmerrshme e Putinit në Ukrainë, dhe rritja e çmimeve të energjisë rreth botës nuk janë një arsye për të vepruar ngadalë. Ato janë arsye për të vepruar shpejt, për të reduktuar varësinë energjetike”, tha Sunak.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se liderët botërorë duhet të bashkëpunojnë për zgjidhjen e sfidave të ndryshimeve klimatike, ose njerëzimi do të përballet me zhdukjen. Thirrja e tij ju drejtuar kryesisht SHBA-së dhe Kinës, si dy nga shtetet ndotëse më të mëdha në botë.

“Lufta globale për klimën do të fitohet ose humbet në këtë dekadë të rëndësishme. Jemi në rrugë drejt ferrit klimatik me këmbën e vendosur te gazi”, tha Guterres.

Paralajmërim i zymtë i Guterres u përsërit edhe nga ish-zv.presidenti amerikan dhe ambientalisti Al Gore i cili tha se shtetet duhet të ndalin kulturën e vdekjes së karboneve fosile.

Në një fjalim energjetik presidenti francez, Emanuel Macron, u bëri thirrje liderëve botërore për drejtësi klimatike.

“Ne duhet të largohemi nga ekonomitë tona të qymyrit, por duhet gjithashtu të ndihmojmë vendet në zhvillim ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Macron.

Kancelari gjerman, Olaf Sholc, tha se kalimi te energjia e rinovueshme ishte një nevojë urgjente, ndërsa kryeministrja e re italiane Georgia Meloni shprehu angazhimin e fortë të Italisë ndaj synimeve klimatike.

Dëmshpërblimi dhe mbështetja për vendet më të prekura janë çështje kyçe të samitit që vijon deri më 18 nëntor. Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet të mbërrijë në Sharm El Sheik, ditën e premte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me kalimin e viteve bie në sy që nuk plakemi…