Sancho: Krenar për golin dhe kualifikimin, i jam mirënjohës klubit dhe tifozëve

14 mars 2024 | 16:46

Borussia Dortmund preu një biletë për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve pas fitores 2-0 ndaj PSV në Gjermani. Një sukses që mban edhe firmën e mesfushorit anglez Jadon Sancho, që shënoi golin e parë të ndeshjes pas vetëm tre minutash lojë.

I rikthyer te Borussia në janar, lojtari duket se po rigjen formën e dikurshme. Ai u zgjodh edhe MVP i sfidës. “E dinim se do të ishte e vështirë, por gjithmonë kishim avantazhin sepse ishim përballë tifozëve vendas”, u shpreh Sancho. “Nga fjalimi i skuadrës në dhomat e zhveshjes, e dija se mund ta bënim realitet kualifikimin. Ne i qëndruam besnik planit tonë të lojës nga minuta e parë deri në të fundit. Jam i lumtur për fitoren”, ka thënë anglezi për TNT Sports.

Duke folur për golin e tij, Sancho ka shtuar: “Ishte si një lehtësim. Thjesht doja ta nisja mirë ndeshjen dhe nuk ka ndjenjë më të mirë se kjo. Jam mirënjohës që kam shënuar golin për ekipin. Kam pasur gjithmonë një ndjenjë të veçantë me Borussia Dortmundin. Këtu bëra emër disa vjet më parë dhe doja të rikthehesha. Duhet t’u jem mirënjohës atyre dhe shokëve të skuadrës që besuan në mua”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin…