Së pari konsensusi për dialog, pastaj zgjedhjet

28 tetor 2018 | 13:13

Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar që së pari pozita dhe opozita duhet të gjejnë një konsensus për fazën finale të dialogut me Serbinë, pastaj të flasin për zgjedhje të reja. Ai ka thënë se fakti që ende nuk është arritur një marrëveshje në mes të pozitës dhe opozitës për të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është një lajm i mirë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sherifi ka shprehur optimizëm që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje. “Aktualisht kemi një situatë ku dy partitë opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë dalë me kërkesën zgjedhje para dialogut përderisa ne mendojmë se renditja duhet të jetë ndryshe, së pari dialogu, pastaj zgjedhjet. Kjo tash për tash e bën më të vështirë arritjen e një konsensusi. Megjithatë, shpresoj që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje e cila shkon përtej interesave partiake”, ka thënë Sherifi.

Ai ka deklaruar se do të ishte mirë që të mos shkohet në fazën përfundimtare të dialogut pa konsensus në mes të pozitës dhe opozitës. “Nuk mendoj se do të ishte mirë që të hyjmë në proces pa e arritur konsensusin e gjerë në mes të partive të pozitës dhe të opozitës”, është shprehur  Sherifi.

Shefi i grupit parlamentar i Nismës ka folur edhe për paralajmërimet e opozitës për rrëzim të Qeverisë me anë të mocionit të mosbesimit. Sipas tij, pretendimi i opozitës, se kuvendi aktual nuk ka legjitimitet, nuk qëndron. “Në fillim dua të nënvizoj se opozita në çdo kohë ka të drejtë të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush. Sa i përket legjitimitetit të Qeverisë, mendoj se nuk kanë të drejtë, sepse si çdo Qeveri, edhe kjo Qeveri legjitimitetin e ka marrë nga votimi i shumicës deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht derisa Kuvendi nuk vendos ndryshe, qoftë përmes mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, qoftë përmes vetëshpërndarjes së Kuvendit, konstatimi i dy partive opozitare, se Qeveria nuk ka legjitimitet, nuk qëndron!”, ka thënë Sherifi.

“Epoka e re”: Deputetët e LDK-së dhe të LV-së, pas votimeve të disa projektligjeve, sërish braktisen seancën e të enjtes. Cili është komenti juaj ndaj veprimeve të këtyre dy partive?

Sherifi: Dalja e deputetëve të dy partive të opozitës, LDK-së dhe LV-së nga seanca e sotme, është një veprim politik në kuadër të vendimit të tyre për t’i bojkotuar seancat e Kuvendit. Arsyet për një veprim të tillë, qoftë të arsyeshme qoftë të paarsyeshme, ata i kanë bërë publike dhe unë nuk dua t’i komentoj.

“Epoka e re”: Braktisjen e Kuvendit këto dy subjekte opozitare po e arsyetojnë duke thënë se ky institucion ka humbur legjitimitetin. Madje LDK-ja dhe LV-ja kanë paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje të reja. Sa ka gjasa të ndodhë kjo?
Sherifi: Në fillim dua të nënvizoj se opozita në çdo kohë ka të drejtë të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohojë askush. Sa i përket legjitimitetit të Qeverisë, mendoj se nuk kanë të drejtë, sepse si çdo qeveri, edhe kjo Qeveri legjitimitetin e ka marrë nga votimi i shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Rrjedhimisht, derisa Kuvendi nuk vendos ndryshe, qoftë përmes mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, qoftë përmes vetëshpërndarjes së Kuvendit, konstatimi i dy partive opozitare, se Qeveria nuk ka legjitimitet, nuk qëndron!

“Epoka e re”: Pavarësisht prej përpjekjeve të shumta, pozita dhe opozita nuk po mund ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për dialogun me Serbinë. Projektrezoluta e PSD-së për dialogun Kosovë – Serbi nuk është votuar në Kuvend, sikurse nuk është votuar as ajo e LDK-së dhe as ekipi negociator i Qeverisë për dialogun me Serbinë. A ka ende gjasa për konsensus rreth kësaj çështje?
Sherifi: Fakti që ende nuk është arritur një marrëveshje në mes të pozitës dhe opozitës për të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është një lajm i mirë. Aktualisht kemi një situatë ku dy partitë opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë dalë me kërkesën zgjedhje para dialogut përderisa ne mendojmë se renditja duhet të jetë ndryshe, së pari dialogu, pastaj zgjedhjet. Kjo tash për tash e bën më të vështirë arritjen e një konsensusi. Megjithatë, shpresoj që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje e cila shkon përtej interesave partiake.

“Epoka e re”: Lideri i Nismës Socialdemokrate, z. Limaj, ka deklaruar së fundi se shumë shpejt pritet të votohet në Kuvend ekipi negociator i Qeverisë për bisedime me Serbinë. Si do të arrihet kjo?
Sherifi: Shpresoj që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje e cila shkon përtej interesave partiake.

“Epoka e re”: Nëse opozita nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, a do të mund ta shtyjë përpara këtë proces vetëm Qeveria me presidentin Thaçi?
Sherifi: Nuk mendoj se do të ishte mirë që ta hyjmë në proces pa e arritur konsensusin e gjerë në mes të partive të pozitës dhe të opozitës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka…