“Së pari kryetari, pastaj pesë nënkryetarët”, kjo është letra që Kurti ua dërgoi Krasniqit dhe Abdixhikut për takimin nesër

30 prill 2025 | 20:35

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka dërguar letër për takim Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit.

Sipas letrës së dërguar nga Kurti, ftesa për takim është të enjten e 1 majit në ora 08:30, më shumë se një orë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në letrat e siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, Kurti përmend se për konstituimin e Kuvendit, duhet zgjedhur Kryetarin e pastaj nënkryetarët.

“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.

Ani pse në letër Kurti thekson se shpreson në një përgjigje pozitive nga ana e tyre, nga LDK-ja s’do t’i shkojë askush në takim.

Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa ka thënë se LDK-ja ka dhënë qëndrimin e saj për çështjen e zgjedhjes së kryetarit, andaj s’do të marrë pjesë askush në këtë takim.

“Ka ftesë. Kryetari nuk është në Kosovë. Çështja e Kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji Heimerer po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare “Fuqizimi i…