Bajrami: Qeveria Kurti për 5 vjet s’la asnjë shenjë pozitive

18 gusht 2025 | 12:33

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se niveli qendror ka shpenzuar 1 miliard euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Duke iu referuar serive kohore të Ministrisë së Financave, ajo ka thënë se vetëm 391 milionë euro janë shpenzuar nga komunat.

“Sipas serive kohore të Ministrisë së Financave në gjashtë mujorin e parë të këtij viti gjithsej shpenzimet buxhetore kapin shumën prej 1.412 miliardë euro, prej tyre vetëm 391 milionë euro janë shpenzimet e komunave, ndërsa pjesa tjetër prej 1.021 miliardë euro janë shpenzime të nivelit qendror. Shqetësuese në këto pesë vite mbetët struktura buxhetore. Buxheti edhe pse jo i planifikuar mirë gjatë implementimit përkeqësohet tutje dhe kjo ka ndodhë vit pas viti”, ka shkruar ajo në “Faceobok”.

Ajo ka thënë se vetëm 13 për qind e buxhetit të shpenzuar nga qeveria ka shkuar në investime kapitale.

“Po ju paraqes vetëm një fakt: Për këtë gjashtëmujor nga 391 milionë euro të shpenzuara nga ana e komunave 105 milionë euro kanë shkuar në investime kapitale, pra rreth 27 për qind  e buxhetit të shpenzuar, por nga gjithsej 1.021 miliardë euro të shpenzuara në nivelin qendror vetëm 138 milionë euro kanë shkuar në investime kapitale ose vetëm 13 për qind e buxhetit të shpenzuar”, ka shkruar Bajrami, duke shtuar se për pesë vjet, qeveria e Albin Kurtit s’ka lënë “asnjë shenjë pozitive”.

“Kurti që pesë vjet në pushtet nuk e ka lënë asnjë shenjë pozitive në këtë vend: asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë hekurudhë, asnjë kapacitet energjetik – trashëgimia e tij qeverisëse është baras me zero. Kurtin do ta kujtojmë për shumë skandale, por asnjëherë askush s’ka me pasur rastin me udhëtuar nëpër Kosovë e me drejtuar gishtin tregues e me thanë ‘kjo është ndërtuar në kohën e qeverisë Kurti’”.

“Sa për informatë buxheti i paraparë për investime kapitale për vitin 2025 është 931 milionë euro, në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 243 milionë euro, prej të cilave 105 milionë euro tyre janë realizuar nga ana e komunave”, ka shkruar Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, së bashku me…