Sejd Tolaj: Nga gishti i përmendores te rruga e çlirimit

06 korrik 2025 | 17:25

Kujtime nga Sejd Tolaj

Në vitin 1998, si student në Prishtinë, nuk mund ta duroja më pamjen e një përmendoreje të vendosur afër Bibliotekës Kombëtare – përmendorja e Ivo Lola Ribarit. Ajo figurë me dorën e zgjatur dhe gishtin tregues të kthyer poshtë, kah toka, për ne kishte kuptimin më fyes të mundshëm: si për të thënë “kjo është tokë serbe.”

Bashkë me tre shokë studentë Burim Turkaj, Arben Çekaj dhe Venet Shala me të cilët banonim me qira në një objekt në lagjen Arbëria (ish-Dragodan) – në ndërtesën ku pas luftes ndodhej Ambasada Amerikane – morëm vendim të veprojmë.

Një natë, me pajisje të fshehura nën jakne – sharra metali dhe mjete të tjera – u nisëm në këmbë nga Arbëria deri te Biblioteka, duke kaluar përmes shumë postblloqeve dhe forcave policore serbe.

Kur arritëm te përmendorja, tentuam t’ia këpusnim gishtin, por struktura ishte jashtëzakonisht e fortë. Përmendorja lekundej, por gishti nuk këputej.

Megjithatë, për ne, ai gisht kishte rënë që atë natë.

Nuk ishte thjesht një veprim teknik – ishte akt rezistence kundër simboleve që përpiqeshin të fshijnë identitetin dhe dinjitetin tonë.

Disa ditë më vonë, po me të njëjtët shokë, u nisëm me tren për në Pejë, pastaj në këmbë përmes fshatrave të Dukagjinit – Logjë, Raushiq, Lubeniq, Strellc, Isniq, Llukë, Carrabreg, Drenoc – për të marrë pjesë në varrimin e luftëtarëve të UÇK-së në Sllup.

Që nga ajo ditë, nuk u kthyem më në Prishtinë deri në çlirim.

U rreshtuam në radhët e UÇK-së, dhe prej andej rruga jonë studentore u kthye në rrugën e luftës për liri.

Sot, në përvjetorin e Betejës së Logjës, kujtoj me nder dhe krenari se pata fatin të jem në vijat e frontit në njërën nga betejat më të lavdishme të Dukagjinit. Logja qëndroi – dhe bashkë me të qëndruam edhe ne.

Dëshmorët e kësaj beteje nuk u kthyen, por na lanë barrën dhe nderin për të rrëfyer të vërtetën.

Nuk e kam ndarë kurrë këtë histori më parë. Por sot, më shumë se kurrë, besoj se disa heshtje nuk i takojnë më kohës që jetojmë.

Çlirimi nuk nisi vetëm me armë – nisi me guxim, me ndërgjegje, dhe me shpirtin që nuk e duron më robërinë.

Lavdi të rënëve!

Nderim brezit që s’u përkul!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e Danimarkës konfirmuan se do të mbështesin përpjekjet e…