Sektori privat, i shqetësuar me reagimin jo të duhur kundrejt krizës energjetike

26 nëntor 2021 | 14:27

Kriza energjetike e cila ka prekur të gjitha shtetet evropiane e më gjerë tashmë po ndjehet edhe në Kosovë, ndërsa rritja e kostos së energjisë elektrike do të rëndojë mbi të gjithë konsumatorët, por në rend të parë tek afaristët. Kjo do të frenojë edhe rritjen ekonomike dhe do të rrezikojë edhe mijëra vende të punës, ndërsa shqetësuese është mungesa e një plani konkret të veprimit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Kështu është thënë të premten gjatë një forumi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) me përfaqësuesit e sektorit privat, institucioneve të shtetit, ndërmarrjeve për furnizim me energji elektrike dhe me ekspertët e ekonomisë.

Genci Beribashi, menaxher i përgjithshëm në ndërmarrjen “Ferronikeli”, ka thënë se si pasojë e katërfishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, kjo ndërmarrje është detyruar ta ndërpresë operimin e saj. Ai ka thënë se institucionet e vendit duhet të adresojnë me urgjencë çështjen e furnizimit me energji elektrike, derisa sipas tij qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese edhe për operatorët ekonomikë të cilët furnizohen me energji elektrike në tregun liberal.

Ndërsa Rudina Heroi Puka, përfaqësuese e KESCO-s, ka thënë se përgjatë viteve kërkesa për energji elektrike është rritur në mënyrë disproporcionale me kapacitetet gjeneruese vendore. Ajo ka thënë se mosadresimi i çështjeve aktuale nga ana e institucioneve vendore mund ta rrezikojë furnizimin e rregullt me energji elektrike. Sipas saj, ky adresim duhet të reflektohet me subvencionim të energjisë ose me ndryshimin e menjëhershëm të tarifave të energjisë elektrike, për të gjithë konsumatorët.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Luan Morina, ka thënë se derisa ka hapësirë për shqetësim, nuk duhet krijuar panik, meqë sipas tij ka energji të mjaftueshme në treg.

Më tutje, ekspertja e energjisë, Pranvera Dobruna-Kryeziu, ka folur për pasojat e mungesës së proaktivitetit në fushën e energjisë. Ajo po ashtu ka folur edhe për mosadresimin e çështjes së përballueshmërisë së furnizimit të energjisë elektrike, që sipas saj duhet të jetë në fokus të punës së institucioneve të vendit.

Në këtë forum, Arian Zeka nga OEAK-u dhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë shprehur shqetësimin e tyre në emër të bizneseve se rritja e kostos së furnizimit me energji elektrike dhe mospërkrahja institucionale do të rrisë koston e operimit të bizneseve, e sidomos atyre eksportuese. Ata kanë kërkuar transparencë më të madhe dhe komunikim të institucioneve të vendit me të gjithë hisedarët, përfshirë edhe përfaqësuesit e sektorit privat. Po ashtu, ata kanë kërkuar që subvencionimi i mundshëm nga ana e shtetit të reflektohet edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke rekomanduar që ndërmjet dy leximeve të Projektligjit për buxhetin të ndahen mjete buxhetore për adresim të krizës energjetike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Golden Eagle Yllit është përforcuar basketbollistin kroat Henrik…