Sektori privat kërkon shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë

18 mars 2021 | 09:45

Sfidat e sektorit privat në raport me energjinë elektrike mbeten të shumta. Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është një çështje e rëndësishme për komunitetin e biznesit, i cili vazhdimisht ka avokuar për shtyrjen e këtij procesi, marrë parasysh se rrethanat aktuale nuk janë të favorshme për një veprim të tillë.

Duke qenë të vetëdijshëm mbi peshën e rëndësisë së kësaj çështje, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një forum të diskutimit mbi liberalizimin e tregut të energjisë, me panelistë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe sektori privat.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka theksuar se kjo çështje nuk është më temë e re për komunitetin e biznesit, meqë ky është viti i tretë i përpjekjeve për të shtyrë atë që njihet si liberalizim i tregut të energjisë. Sipas Zekës, në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar, fuqia negociuese e konsumatorëve komercial është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike se mesatarja e tarifave të rregulluara.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se problemi me liberalizimin e tregut të energjisë është një ndër sfidat të cilat po i shkaktohen komunitetit të biznesit si rrjedhojë edhe e pasigurisë politike, por edhe e mungesës së qartësisë dhe vendosjes së strategjive të qarta mbi zhvillimet të cilat duhet të kenë vendimmarrje në sektorin e energjisë.

Ajo ka thënë se çështja e mungesës së bordit të ZRRE-së krijon edhe më shumë vështirësi në këtë aspekt, derisa foli edhe mbi mundësitë e Kuvendit të Kosovës për veprim në këtë rast.

“Ajo çka në aspektin funksional dhe ligjor Kuvendi i Republikës së Kosovës, në përbërjen e saj, e cila shpresojmë të jetë funksionale deri në fundin e marsit, mund të bëjë, është që të sjellë një vendim me interpretim të zyrës ligjore, në të cilin i kërkon Rregullatorit që ky vendim në zbatim të shtyhet deri në plotëni, ose deri në përmbushje të Bordit të Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Drejtori i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, është shprehur e procesi i tranzicionit të energjisë është shumë kompleks.

Ai ka folur edhe mbi shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut, ku ka theksuar se me kërkesë të odave ekonomike dhe komisionit parlamentar relevant ky proces është shtyrë për tre vite me radhë.

Pepaj ka thënë se në vitin e kaluar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka ngritur vërejtje ndaj Rregullatorit për mosveprim të këtij të fundit në hapje të tregut, derisa u shpreh se ZRRE-ja duhet të respektojë ligjin, dhe se shqetësimet mund të tejkalohen për kohë të shkurtër nëse furnizuesit gjejnë klientë.

Visar Ramajli, bashkëpronar dhe partner menaxhues në kompaninë KIVO, është shprehur se komuniteti i biznesit po e kërkon një shtyrje të tillë për shkak se ky derregullim i tregut nënkupton rritje të çmimit.

Ramajli ka thënë se është e drejtë e çdo biznesi të jetë i shqetësuar dhe të kërkojë të gjenden mënyra të përshkallëzimit të rritjes së çmimit, ose të gjenden mënyra që rritja e çmimeve të mos jetë në shkallën prej 40 për qind e më lartë.

Arben Kllokoqi, ekspert në Sekretariatin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë,ka thënë se rritja e çmimit duhet të jetë subjekt i shqyrtimit të Rregullatorit nga aspekti i konkurrencës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Varianti B.1.1.7 e bën virusin Corona më të rrezikshëm dhe…