Sekuestrohen mbi 300 monedha 2-euroshe false në Prishtinë, nisin hetimet

28 shkurt 2024 | 08:33

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë. Qindra e mijëra euro false vihen përditë në qarkullim në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedha që po ‘tmerron’ të gjithë është ajo dyeuroshe.

Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka njoftuar se janë detektuar disa qindra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shumë mbi 300 euro, dhe të gjitha prej tyre janë në monedhën metalike dyeuroshe.

Paratë që dyshohet se janë të falsifikuara janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aksidenti me përfundim tragjik që ndodhi të hënën te Ministria…