Selimi: Çdo proces ku janë të përfshirë të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë do të jetë më lehtë i zbatueshëm

30 nëntor 2020 | 16:06

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka mbajtur të hënën një takim me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj dhe atë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, me të cilët ka diskutuar për hapat e veprimit drejt finalizimit të draftit të parë të Strategjisë që del nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Gjatë këtij takimi, është dakorduar që ekipet e Ministrisë së Drejtësisë dhe dy këshillave KGjK-së dhe KPK-së, të takohen për t’i adresuar komentet dhe për të finalizuar rekomandimet që përfshihen në strategji. “U dakoruam që të hartojmë planin e veprimit së bashku me hisedarët e drejtësisë, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm, përmes së cilit do të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial”, ka thënë ministri Selimi.

Në këtë takim është diskutuar edhe për adresimin e komenteve që kanë të bëjnë me finalizimin e Projektligjit për gjykatën komerciale, si dhe për ndryshimet e nevojshme legjislative të sistemit prokurorial.

Ministria e Drejtësisë, javën e kaluar ka prezantuar draftin e parë të konsoliduar të pjesës narrative dhe planeve të veprimit të Projektstrategjisë sektoriale të sundimit të ligjit. Ndërsa kryesuesit e KGjK-së dhe KPK-së, Çoçaj dhe Hyseni, kanë shprehur gatishmërinë e të dy këshillave për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që përmes procesit të rishikimit funksional si dhe avancimit të legjislacionit të adresohen sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Grupi Punues për hartimin e Projektstrategjisë sektoriale të sundimit të ligjit e  kryesuar nga Ministria e Drejtësisë, përbëhet nga përfaqësues të KGjK-së, KPK-së, Akademisë së Drejtësisë,  Zyrës se Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave dhe akterë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Bashkimit Evropian edhe këtë vit do të miratojë…