Selimi e Haradinaj takojnë Arifin: Me punë të përbashkët do ta bëjmë më të mirën për Preshevën

09 korrik 2020 | 13:25

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj- Stublla, po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Luginë të Preshevës.

Ata me të arritur në Luginë, janë pritur nga kryetarin e komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Me kryetarin Arifi, ministrat kanë diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë si dhe për mundësitë e mbështetjes së tyre.

Në takim dy ministrat janë informuar me situatën aktuale politike në Preshevë, pozitën dhe kërkesat e qytetarëve shqiptar dhe projektet e Komunës të cilat janë në interes dhe në shërbim të përmirësimit të  jetesës së qytetarëve në vend.

Gjithashtu, në këtë takim është theksuar rëndësia e angazhimit dhe punës së përbashkët me qëllim të forcimit të faktorit shqiptar atje.

Është theksuar kërkesa e kryetarit Arifi për të qenë pjesë e takimeve të dy qeverive shqiptare për të sinkronizuar politikat e përbashkëta, veçanërisht në rastin e përfshirjes së Luginës në procesin e dialogut pasi që një marrëveshje e arritur pa e përfshirë Luginën e Preshevës, sipas Arifit, do të ishte e paqëndrueshme.

Selimi në këtë takim ka potencuar faktin se rikthimi në Preshevë i jep atij një ndjesi tejet të veçantë, por edhe një përgjegjësi ndaj atij vendi.

Duke folur për pozitën e qytetarëve të Preshevës, potencialin e lartë që ka dhe problematikat me të cilat ballafaqohet, ministri Selimi ka thënë se së bashku me ministren Haradinaj-Stubulla, mbeten të përkushtuar për të ndihmuar dhe ofruar bashkëpunim të pakursyer për të bërë më të mirën për shqiptarët në këtë anë.

“Si ministër i Drejtësisë, në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, iu siguroj se do të vazhdojmë të kemi një qasje të përkushtuar dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm si në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor për të përmirësuar dhe avancuar pozitën shqiptarëve të Luginës në përgjithësi. Komuna e Preshevës do ta ketë gjithë mbështetjen tonë në realizimin e projekteve konkrete për Luginën”, ka thënë Selimi.

Arifi është siguruar nga Selimi që do të ketë mbështetjen e ministrisë së cilën ai e drejton në kthimin e Gjykatës dhe Prokurorisë në Preshevë dhe për këtë ofroi mbështetje financiare dhe profesionale për t’i kthyer këto degë në vendin që iu takon.

Selimi është shprehur i gatshëm për t’i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe urat e ndërtuara nga dy vendet për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin në interes të qytetarëve të Luginës.

Pjesë e këtij delegacioni është edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, pjesë e së cilës odë janë shumë biznese nga Presheva.

Në fund, Arifi ka falënderuar dy ministrat për interesimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen e ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme për stabilitetin dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në Preshevë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Turqia për sigurinë e mysafirëve ka bërë shumë gjëra duke…