
Selimi, ekspertëve të dorëhequr: Kthehuni në grupin punues, vettingu në koordinim me ShBA-në dhe BE-në
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me çështjen e vettingut.
Para gazetarëve, Selimi, ka kërkuar që të rikthehen ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vettingut në drejtësi.
Ai ka thënë se ky grup ekspertësh duhet të kthehet në punë, në mënyrë që procesi i vettingut të jetë më i besueshëm.
“Pasi kemi dërguar propozimet për përfaqësuesit e institucioneve, grupi i eksperteve ka dhënë dorëheqje. Për të qenë korrekt, ne ende do ta mbajmë hapur pikën ku grupi është ende i hapur për vazhdimin e procesit. Të kthehen që ta bëjnë këtë proces sa më të besueshëm”, ka thënë Selimi.
Selimi ka sqaruar arsyet e dorëheqjes së grupit të ekspertëve nga radhët e shoqërisë civile.
“Ju e dini se ka disa javë që kjo temë diskutohet dhe kemi vendosur që të bisedojmë me gjithë hisedarët rreth çështjes së vettingut. Me zyrën e kryeministrit jemi konsultuar KPK-në, prokuroritë në vend dhe me rëndësi edhe partnerët tanë strategjik, ShBA-në dhe BE-në”.
“Kemi arritur në përfundim që të gjithë janë për që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe së bashku ta gjejmë modulin që ta risimi sistemin e llogaridhënien”, është shprehur Selimi.
Për takimin që kanë mbajtur me grupin e ekspertëve, Selimi ka thënë se janë dakorduar që t’i dërgojnë grupin e tyre për përfaqësim. Mes tjerash, Selimi ka thënë se vend do të ketë edhe për grupin e ekspertëve nga shoqëria civile.
“Në takimin që kemi pasur me grupin e ekspertëve, jemi dakorduar që ta dërgojmë vizionin për përfaqësim. Ky grup ka dhënë dorëheqje, ku ata i kanë cekur arsyet e dorëheqjes. Në vendimin që sot pritet ta dërgojmë në qeveri, ne ende do ta mbajmë pikën ku grupi i ekspertëve mund të bëhen pjesë e këtij procesi dhe ta bëjmë të implementueshëm”, ka thënë Selimi.
Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga grupi punues për procesin e vettingut. Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi, letrën e tyre të dorëheqjes ia kanë dërguar Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dy ditë më parë. Sipas tyre, dorëheqja vjen pasi sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë./EO/