Selimi: Humbësi më i madh është Shpend Ahmeti

13 mars 00:13

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka folur për zhvillimet e fundit në LV.

Duke e komentuar largimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga postet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Selimi tha se kjo është humbje për Ahmetin, ndërsa theksoi se nuk e ka befasuar një vendim i tillë.

“Unë me Shpendin jemi miq. Por, nuk më ka befasuar duke e njohur nga afër. Ndoshta votuesit e Shpendit janë ndierë më të befasuar të cilët nuk e kanë ditur se Shpendi ka kohë që nuk merr pjesë në mbledhjet e Kryesisë. Tash jam i detyruar t’ia respektoj vendimin, por duhet t’i them se ka gabuar. Mendoj se ai tash e tutje duhet të mbajë fjalën para qytetarëve, t’i realizojë premtimet, t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të Prishtinës, dhe ta përmbush mandatin e tij si kryetar i Prishtinës duke u realizuar premtimet e dhëna”, theksoi ai.

“Mendoj se në këtë rast, në spektrin politik, më së shumti ka humbur Shpendi, sepse Shpendi nuk e ka një Lëvizje Vetëvendosje tjetër, e Lëvizja do ta ketë një kandidat tjetër në zgjedhjet e ardhshme. Unë i dëshiroj suksese në udhëheqjen e Prishtinës, sepse suksesi i tij në udhëheqje është në interes të qytetarëve”, u shpreh Selimi nw “Interaktiv” të  “KTV”-së.

Duke folur për mundësinë e dorëheqjes së Shpend Ahmetit nga drejtimi i Prishtinës, Selimi deklaroi se VV nuk e ka biseduar fare këtë temë.

“LVV nuk ka pasur probleme me Shpendin e as anasjelltas. Ky është vendim i tij, të cilin unë s’e përkrahi, ka gabuar, por shpresoj se mandatin do ta realizojë siç ka premtuar”, tha Selimi, duke shtuar se nuk e di arsyen e largimit.

“Nuk e besoj se do t’i bashkohet krahut tjetër”, ka thënë ai, duke iu referuar grupit të quajtur tashmë “grupi i Molloqajt”.

“Nga Grupi Parlamentar i LVV-së deri më tani nuk ka dorëheqje. Ata kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e strukturës së organizatës politike, por jo nga GP dhe nga LVV. Ata janë anëtarë të VV-së dhe të GP-së. Nuk dua t’i konsideroj ndryshe, përveçse ashtu siç janë”, tha Selimi në Interaktiv.

Ai tregoi se në mbledhjen e sotme të GP të LV-së, grupi i të dorëhequrve nuk kanë qenë të pranishëm.

“LVV nuk është ndarë. Ka dorëheqje, por nuk është ndarë. Ka dorëheqje nga strukturat e VV-së, pro jo nga GP. Duhet ta dimë se në gjendje më të rëndë është Kosova sesa LVV. Vetëvendosje nuk është e formuar për vetveten, por për Kosovën”, u shpreh deputeti i VV-së, Rexhep Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ushtari i UÇK-së, profesori Sabahajdin Cena nga Rahoveci, ua ka…