Rasti i Endrit Azemit, nga fondet e grumbulluara përmes GoFundMe në Gjermani ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve

23 nëntor 2026 | 20:32

Pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative, Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj Endrit Azemit, i dyshuar se kishte organizuar fushata humanitare në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se kishte nevojë për trajtim e rehabilitim shëndetësor.

Hetimet e zhvilluara nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me Prokurorinë, kanë çuar në identifikimin e llogarive bankare dhe bllokimin e mjeteve të grumbulluara, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim për një muaj.

Ndërkohë për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve, njofton policia..

Detaje nga Policia e Kosovës:

Pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan përkatësisht Njësiti i Hetimeve Rajonale ka ndërmarrë veprime hetimore në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, nën dyshimin se personi me inicialet E. A. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ka trilluar se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë hetimeve është dyshuar se i njëjti ka organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtim dhe rehabilitimin e tij shëndetësor, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe.

Pas veprimeve hetimore, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Republikës së Kosovës janë bllokuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës. Ndërkohë për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.

I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor 2026 ndërsa më 23 nëntor 2026 Gjykata Themelore në Gjilan me kërkesë të Prokurorisë i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan do të jetë gjithmonë e përkushtuar në shërbim të qytetarëve, duke hetuar çdo dyshim për keqpërdorim të mundshëm, njëkohësisht duke mbrojtur solidaritetin dhe humanizmin e qytetarëve, sepse keqpërdorimi i besimit të individëve nuk duhet të cenojë gatishmërinë për t’i ndihmuar ata që kanë vërtet nevojë për ndihmë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kreu i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar veprimet…