Ndryshime në Komandën e Regjimentit MSU të KFOR-it
Sot, në selinë e Njësisë së Specializuar Multinacionale (MSU) në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës, gjatë së cilës koloneli Gianfranco Di Fiore ia ka dorëzuar komandën e Regjimentit kolonelit Steven Chenet.
Ceremonia është drejtuar nga komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Gjatë periudhës së shërbimit të kolonelit Di Fiore, Regjimenti i MSU-së ka kontribuar në aktivitetet e përditshme të KFOR-it përmes një pranie të vazhdueshme në terren, duke kryer patrullime në këmbë dhe me automjete, si dhe duke monitoruar situatën e sigurisë, me fokus të veçantë në Kosovën veriore.
Njësia gjithashtu ka ndërmarrë iniciativa në mbështetje të institucioneve dhe komuniteteve vendase, duke kontribuar në ndërtimin e besimit mes njerëzve.
Për më tepër, ajo ka marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta trajnimi dhe ushtrime me njësi të tjera të KFOR-it, si dhe me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave të sigurisë.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka theksuar rëndësinë e kontributit të personelit të MSU-së në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë.
“Thelbi i misionit tonë është t’u shërbejmë dhe t’i mbrojmë njerëzit e Kosovës, pa dallim dhe me paanshmëri absolute. Respekti nuk kërkohet kurrë. Ai fitohet përmes profesionalizmit, përkushtimit, disiplinës dhe besueshmërisë. Besueshmëria nuk është diçka që thjesht pretendojmë se e kemi; është diçka që të tjerët e njohin përmes veprimeve tona, vendimeve tona dhe mënyrës se si i përmbushim përgjegjësitë tona çdo ditë.
Puna juaj e përditshme dëshmon se, kur përqafojmë një qëllim të përbashkët dhe vendosmëri, ne vërtet mund të bëjmë ndryshim si një ekip i vetëm, duke ecur përpara së bashku.
Profesionalizmi dhe përkushtimi juaj i japin jetë vlerave të misionit tonë. Ju nuk flisni thjesht për misionin tonë. Ju e mishëroni atë përmes veprimeve tuaja dhe mënyrës se si ruani një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. Së bashku, ne jo vetëm që po bëjmë ndryshim sot, por po ndihmojmë në formësimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të ndritshme dhe më plot shpresë për brezat që do të vijnë”.
MSU-ja, e përbërë kryesisht nga personel i Karabinierëve italianë dhe anëtarë të forcave të policisë ushtarake të vendeve të tjera, i ofron KFOR-it një kapacitet të specializuar në fushat e menaxhimit të rendit publik dhe kontrollit të turmave e trazirave.



