Selimi takon Grupin Punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

21 dhjetor 2020 | 13:11

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur takimin e parë me Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi diskutoi me anëtarët e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës, raporton “Epoka e re”.

“Diskutuam për hartimin e një analize apo studimi të Grupit Punues mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe të identifikojmë praktikat më të mira krahasuese dhe të pasqyrojmë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Ministri Selimi theksoi rëndësinë e themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve duke thënë se ky institut duhet të themelohet me qëllim të ruajtjes së kujtesës kolektive.

Duke folur për rëndësinë që do ta ketë Instituti për Hulumtimin e Krimeve, ministri Selimi tha se pas themelimit të këtij instituti do të angazhohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtimin në terren.

“Bazuar në rëndësinë dhe nevojën që ka dokumentimi i krimeve të luftës, themelimi i një mekanizmi për këtë çështje, është ndër prioritetet e mia si Ministër i Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe i Qeverisë. Kosova duhet ta ketë këtë institut për të ruajtur memorien tonë kolektive. Pas themelimit të institutit, do të punësohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtime në terren” , ka theksuar ministri Selimi.

Ministria e Drejtësisë në tetor të këtij viti kishte ri-proceduar në Zyrën e Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës, ku ishte aprovuar propozimi i MD-së për të themeluar Grupin Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Instituti do të ketë akademikë, profesorë, aktivistë të çështjeve të luftës, familjar të personave të pagjetur dhe përfaqësues nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adelina Xharrahu, e diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit…