Senati i UP-së miraton konkurse të reja dhe avancim të personelit akademik

21 nëntor 2025 | 12:14

Në mbledhjen e 22-të, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi hapjen e konkurseve për 100 pozita të reja, avancoi personelin akademik në disa fakultete dhe vendosi ta asociojë edhe me UP-në mjekun farmacist dhe profesorin e King’s College London, prof. Driton Vllasaliun.

Gjithashtu, senatorët miratuan avancimin në profesor-asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të UP-së të profesorit nga Universiteti Teknik i Vjenës, prof. Ilir Murturi.

Ky është transferimi i parë me normë të plotë dhe kontratë të rregullt në UP, sipas Rregullores për “kthimin e trurit”.

Hapja e këtyre konkurseve dhe vazhdimi i asociimit me UP-në të profesorëve me renome ndërkombëtare nga diaspora akademike në bazë të Rregullores për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar më 30 prill 2025, synon ta fuqizojë cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të Universitetit të Prishtinës.

Profesionisti ndërkombëtar mjekësor, prof. Driton Vllasaliu, transferimin e të cilit edhe në UP e miratuan sot njëzëri senatorët, aktualisht është pjesë e Shkollës së Shkencave Farmaceutike dhe Onkologjike në King’s College London, ndërsa do të punojë me orar të pjesshëm në UP.

Në shtator e tetor 2025 me Universitetin e Prishtinës janë asociuar edhe dy profesorët tjerë me renome ndërkombëtare, prof. Dukagjin Blakaj dhe prof. Gëzim Visoka.

Në mbledhjen e Senatit u miratua edhe avancimi i disa profesorëve dhe rizgjedhja e disa asistentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetin e Mjekësisë. Riemërime, emërime dhe avancime janë planifikuar të shqyrtohen edhe në mbledhjet tjera të radhës.

Senatorët aprovuan njëzëri edhe ardhjen e një profesori vizitor nga Universiteti “Shën Kirili dhe Shën Metodi” i Bullgarisë për të dhënë mësim në Degën e Ballkanistikës të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Senati në mbledhjen e nëntorit ratifikoi dhe lejoi mbrojtjen e një teme të doktoratës dhe ndërroi mentorin e temës së një kandidateje tjetër të këtyre studimeve, sipas rekomandimeve të Këshillit Qendror të Studimeve të Doktoratës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë…