Senati italian miraton marrëveshjen për emigrantët me Shqipërinë

15 shkurt 2024 | 14:46

Senati italian ka miratuar përfundimisht projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, që parashikon hapjen e dy qendrave në territorin shqiptar për të pritur 3 mijë emigrantë. Sipas mediave italiane, projektligji u miratua me 93 vota pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim.

Marrëveshja për emigrantët, e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni në Romë, mori dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese, pasi 30 deputetë të opozitës kërkuan rrëzimin e saj duke pretenduar se është antikushtetuese dhe shkel sovranitetin e vendit.

Gjykata argumentoi se kjo është një marrëveshje që nuk ndryshon integritetin territorial dhe se nuk cënon të drejtat e njeriut. Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy qendrave në Gjadër për strehimin e emigrantëve. Kapaciteti maksimal i numrit të emigrantëve nuk do të jetë më shumë se 3 mijë.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3 mujori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Japonia humbi fronin simbolik të ekonomisë së tretë më të…