Serbët dhe Serbia kundër shqiptarëve dhe UÇK-së e luftës së tyre (18)

28 korrik 2020 | 11:06

Shkruan: Kudusi Lama

Që të kuptojmë se çfarë kanë thënë serbët kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraprakisht duhet të kuptojmë mirë veprimet serbe kundër dhe ndaj Kosovës duke mbajtur në vëmendje se, në këtë vend, pra në trojet e pushtuara edhe në hapësirat e Kosovës, ajo ka bërë një luftë të ashpër prej një shekulli, duke vënë në jetë parime të paimagjinueshme kundërnjerëzore që njihen, por duhet të përsëriten.

Ushtria serbo-sllave ka manifestuar cilësitë më të ulëta të një ushtrie klasike, jo vetëm në luftën e fundit, por në tërë historinë e ekzistencës e të luftërave të saj, deri në ditët tona.

Për t’i konkretizuar evidencoj disa nga parimet udhëheqëse të kësaj ushtrie në luftë, të deklaruara prej vetë serbëve e organeve shtetërore të tyre, me gojë e me shkrim, me urdhra e me dekrete mbretërore. Ato janë:

– Vra dhe masakro pa mëshirë, pa dallim gjinie, moshe dhe uniforme;

– Shkatërro çdo gjë, që është pronë e popullit të pushtuar, që duke e lënë pa asnjë mbështetje ekonomike, të detyrohet të emigrojë;

– Shkatërro çdo gjë që evidenton kulturën shqiptare dhe lashtësinë e saj, për të bërë që të shkulen më lehtë rrënjët e lashtësisë kombëtare shqiptare në tërësi, e në Kosovë, në veçanti;

– Mashtro e gjej mundësi me të gjitha mjetet që të krijohen struktura të armatosura shqiptarësh, të cilat të luftojnë kundër shqiptarëve, duke bërë që të ketë gjithnjë të ndezur një konflikt ndërshqiptar, që të detyrohen të vrasin e të ikin edhe prej njëri-tjetrit;

– Vrit duke pretenduar se po mbrohesh, përdhuno duke pretenduar se po pastrohesh, grabit duke pretenduar se po të grabisin;

– Masakro para popullit, që të ngjallësh tmerr ndër shqiptarët;

– Vrit inteligjencien shqiptare, që të mos mund të zhvillojnë kulturën dhe të detyrohen të emigrojnë në vendet e tjera;

– Rrisni vlerat para atdheut duke ditur se vlera të tilla kanë vetëm ata ushtarë serbë që arrijnë të zhdukin apo të shpërngulin me forcë sa më shumë shqiptarë, për të krijuar prona të lira për serbët që i meritojnë;

– Kombino veprimet ushtarake me veprimet banditeske, duke propaganduar se lufta bëhet pikërisht kundër këtyre banditëve;

– Persekuto e masakro në mënyrën më të shfrenuar shqiptarët e mbetur, që të kuptojnë se në këtë vend nuk kanë të ardhme;

– Shfaros e shpërngul sepse kjo është detyrë parësore, për të ndërruar raportin e popullsisë në Kosovë, nga favor i shqiptarëve në favor të serbëve, ku ne duhet të jemi patjetër shumicë;

– Gjej tek shqiptarët me çdo kusht armë të fshehura, të çarmatoset popullsia shqiptare e njëkohësisht të armatoset popullsinë serbe, që në çdo rast civilët serb të jenë krah me ushtrinë për shfarosjen e shqiptarëve;

– Krijo bindjen tek të gjithë se në Kosovë ka të drejtë të jetojë vetëm ai shqiptar që pagëzohet në fenë ortodokse dhe që nuk guxon të flasë gjuhën shqipe “atë gjuhë të ndyrë”;

– Shqiptarët në Kosovë të zhvishen nga identiteti i tyre, nga shtëpitë e tyre, nga emërtimet, kujtimet dhe arkivat e tyre;

– Edhe të gjithë shqiptarët mund të zhduken në emër të Serbisë së Madhe;

– Shfrytëzo fanatizmin etnik dhe fetar të popullit serb për të nxitur agresivitetin e tyre kundër shqiptarëve;

– Shkatërrimet dhe barbaritë, plaçkitjet, djegiet, rrënimet e çdo gjëje që është shqiptare, bombardimet, terrori intensiv, masakrat masive, përdhunimet, zhdukjet e personave, burgosjet masive dhe përdorimi i të gjitha llojeve të armëve, janë dhe mbeten norma e përhershme e ushtrisë serbe në Kosovë;

– Formimi dhe vullneti politik i popullit të Kosovës të likuidohet me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme deri në zhdukjen fizike të tij.

Këto parime nuk mund të jenë bashkudhëtare të një ushtrie klasike. Ato janë pjellë e ushtrive barbare e fashiste, që duket se në Serbi kanë lindur para se të lindte barbaria e fashizmi në Botë. Pra, shihet se serbët në jetën e tyre kanë përgatitur dhe futur në luftë ushtritë, të cilat kanë luftuar më shumë me popullin e pambrojtur se me forcën e armatosur, që kanë pasur përballë.

Këtë e vërteton edhe harta që kanë punuar për përdorimin e artilerisë gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, ku duket se është planëzuar zjarr kudo ku ka pasur shtëpi e qendra të banuara, megjithëse me ligjet ndërkombëtare nuk lejohet të planëzohet zjarri i artilerisë më afër se 1500 metra nga shtëpia më e afërt. Hartë origjinale e kohës së luftës e zënë në front të luftës në çantën e oficerit.

Shikojeni hartën e punuar prej tyre:

Deri me sot, askush ne Serbi nuk e ka dënuar luftën, që urdhëroi Sllobodan Millosheviqi kundër Kosovës, as reprezaljet dhe vrasjet masive të popullit të paarmatosur. Ky është treguesi i parë që duhet vlerësuar për të kuptuar se Serbia nuk ka hequr dorë prej politikës së saj fashiste. Prandaj edhe vlerësime e deklarime siç do të njohim më poshtë, që kanë ushqyer raportin e Dick Martyt, nuk duhet të na habisin.

E ardhmja dhe siguria e Kosovës është e garantuar sa kohë që gjithë populli të jetë gati të mbrojë atë me çdo çmim dhe ky popull që luftoj me vetëmohim dje në Luftën Çlirimtare, do të jetë i gatshëm ta bëjë këtë në çdo kohë për hatër të atdheut të vet. Gjaku shqiptar nuk ndërrohet, siç nuk është ndërruar me dhjetëra shekuj.

Çdo shqiptar duhet të jetë i qartë se për sa kohë Serbia mendon se do të rikthehet në Kosovë dhe tenton të krijojë situata për t’u rikthyer në Kosovë, lufta vazhdon.

Për sa kohë Serbia tenton të organizojë strukturat e UDB-së në Kosovë dhe me tej, si dhe deklaron edhe publikisht se i ka organizuar ato struktura në shërbim të saj, lufta ende vazhdon.

Për sa kohë vazhdon politika me tentativë për të mbjellë kriminalitetin në Kosovë, për të mbjellë hasmëritë e gjakmarrjen midis shqiptarëve, duke inskenuar të ashtuquajturat vrasje ndërshqiptare, lufta ende vazhdon.

Për sa kohë serbët mbeten nën kujdesin ndërkombëtar, duke kriminalizuar popullin dhe jetën shqiptare në Kosovë, lufta vazhdon…

Edhe raporti i paraqitur nga Dick Marty në emër të Evropës, nuk është gjë tjetër veçse një tregues më shumë se lufta vazhdon…

Është shumë i dukshëm fakti se Serbia përpiqet të mbijetojë në Kosovë. Ajo duket se nuk e koncepton akoma të vërtetën e largimit përfundimtar nga Kosova. Në kushtet që janë krijuar, Serbia po shfrytëzon të gjitha mundësitë për të mbijetuar në Kosovë dhe për të përgatitur shtrat të përshtatshëm dhe një mundësi më shumë për interesat e saj në Kosovë.

Për mbijetesën e saj, Serbia, po shfrytëzon:

Së pari, praninë ndërkombëtare dhe aktivitetin e tyre, duke bërë një propagandë të shfrenuar antishqiptare dhe shpifje të pa konceptueshme, duke ushqyer Evropën e botën me ta, për të arritur deri tek raporti i Dick Martyt në emër të Evropës e deri tek krijimi i tribunalit për krimet e luftës së UÇK-së, që po na u bën presion burrave të Kosovës.

Së dyti, po shfrytëzohen maksimalisht nostalgjikët, të cilët kanë qenë të përkëdhelurit e regjimit kolonial dhe, megjithëse, janë shqiptarë, akoma mbajnë në banesat e tyre portretet e Titos dhe në ndonjë rast edhe të Millosheviqit.

Së treti, në Kosovë jetojnë edhe një masë serbësh, të cilët në çdo moment janë kontingjent i Serbisë dhe punojnë për të.

Së katërti, edhe ish-kuadrot shqiptare të regjimit kolonial luajnë rolin e tyre në këtë situatë, pasi tentohet të joshen.

Së pesti, ish-spiunët janë kontingjenti më i rrezikshëm në Kosovë.

Së gjashti, edhe miqësitë kanë rolin e tyre në lëvizjen Kundër Kosovë të Serbisë.

Së shtati, njohjet dhe shoqëritë e krijuara gjatë bashkëjetesës koloniale.

Së teti, strukturat e UDB-së, që mendoj se janë e mbeten aktivë.

Së nënti, marrëdhëniet tregtare me Serbinë, të cilat zhvillohen aktualisht dhe do të zhvillohen e zgjerohen dita ditës në të ardhmen.

Së dhjeti, duke mbajtur akoma peng një mori mjetesh e dokumentacioni që është i Kosovës dhe i nevojitet shumë asaj.

Së njëmbëdhjeti, edhe komunikacioni është një mundësi tjetër, që po shfrytëzohet dhe do të shfrytëzohet nga Serbia, për t’i dhënë mesazhet e mbijetesës në Kosovë.

Së dymbëdhjeti, propaganda kundërshqiptare është një fushë të cilën Serbia dhe serbët e zotërojnë mirë, dhe siç duket në momentin aktual me raportin e Dick Martyt dhe Gjykatën Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, kjo propagandë dhe këto shpifje të Serbisë po kanë edhe sukses në botë.

Së trembëdhjeti, një rol të rëndësishëm luan opinioni. Për krijimin e kushteve me të favorshme, për të siguruar opinionin e gjerë se Serbia është e vetmja forcë që mund të disiplinojë Kosovën, makineria serbe e propagandës, por edhe e shërbimeve sekrete duket se punon pa pushim.

Së katërmbëdhjeti, ushtrimi i forcës dhe i dhunës, pasqyrë e të cilës janë Mitrovica dhe pikat e kalimit kufitar mes Kosovës e Serbisë, vlerësohet si një element i rëndësishëm për ruajtjen e pranisë serbe në Kosovë.

Së pesëmbëdhjeti, në Kosovë vrasjet janë demoduar. Megjithatë, shihet se në mjaftë raste shfaqen vrasje që mbajnë në vete enigma. Ato vlerësoj se janë vepra serbe për të dhënë mesazhe pasigurie dhe për të krijuar mundësinë e përçarjes ndërshqiptare.

Së gjashtëmbëdhjeti, edhe në ekonomi po ushtrohet trysni e madhe për të mos pasur rezultat, që të paraqitet si i pamundshëm zhvillimi jashtë Serbisë.

Së shtatëmbëdhjeti, presionet politike ndaj Kosovës, janë të pranishme që nga OKB-ja, Evropa, Ballkani, Serbia dhe Kosova.

Duke vlerësuar gjithë këtë hapësirë të veprimeve serbe kundër shqiptare e kundër njerëzore, nuk duhet të habitemi as për renditjen e gjithë atij monstruoziteti të renditur në raportin e Dick Martyt, të cilin realisht e vlerësoj si një agresion të ri të Serbisë Kundër Kosovës dhe me krijimin e tribunalit për krimet e luftës së UÇK-së, vlerësoj se Serbia betejën e parë e ka fituar kundër Kosovës dhe gjithë shqiptarëve e mbi të dy shtetet shqiptare. Mbetet të shohim vazhdimin. Por shqiptarët duhet të kuptojnë se lufta vazhdon…

Për fat të keq, jo të gjithë e kuptojnë, se në Kosovë akoma hilet janë të pranishme. Kjo e vërtetë, në radhë të parë, vjen nga Evropa, ku luhen ende prapaskena në interes të Serbisë. Këtë e vërteton edhe fakti që në Kosovë serbët, megjithëse, përbëjnë vetëm rreth 2% të popullsisë, bëjnë si të fortë.

A mos është akoma e pranishme deklarata e Millosheviqit: “…ne dimë se si duhet t’i qërojmë hesapet me shqiptarët…”?

Por, edhe sa kohë do të vazhdojnë këto hile ndërkombëtare?

Kjo çorbë dihet se gatuhet në kuzhinën e Beogradit, me regjinë ruse dhe me oponencën e disa evropianëve. Unë mendoj, se Berlini, i cili ka bërë mjaft në të kaluarën kundër Shqiptarisë dhe shqiptarëve, por edhe Londra e Parisi gjithashtu, si dhe Roma, që në gjithë historinë e saj ka pasur vetëm lavdi prej shqiptarëve, nuk u lejohet të bëjnë lojë të dyfishtë. Nuk u lejohet ta sundojnë Kosovën me synim për të kthyer në ujë gjakun e derdhur. Nuk shpërbëhen shqiptarët, nuk zhbëhet gjaku i tyre dhe nuk zhbëhet gjeni i tyre luftarak. Ata do të mbeten historikisht të tillë, të urtë, të kulturuar, fisnikë, miqësorë, vëllazërorë dhe besnikë, për të gjithë ata që do t’u ofrojnë këto cilësi. Por, do të jenë luftarakë dhe të papërmbajtshëm për të gjithë ata që do të tentojnë t’i zhbëjnë e zhdukin.

Le të shohim tani se ku i ka marrë të dhënat e raportit të tij Dick Marty në emër të Evropës: Shikojeni fotografinë më poshtë që të kuptoni se Serbia nuk na harron. Kush nuk e ka lexuar këtë libër do të bënte mirë ta lexonte për të njohur mirë kush janë “kriminelët më të mëdhenj“ shqiptar, që vërtetë i kanë prishur shumë punë Serbisë. Lexojeni titullin e këtij libri dhe kuptoni se kush janë për Serbinë djemtë tanë të luftës, ata që i dhanë përfundimisht lirinë këtij vendi janë, siç përcaktohet në titullin e këtij libri: “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare” DOSJET “SEKRETE”.

Ky libër publikisht është përgatitur nga Millosh Obiliç, që njihet si autori publik i tij. Por duket, se për të ka punuar një grup pune shumë i specializuar, për të ndërtuar figura kriminale dhe për të ndërtuar struktura mafioze e ushtarake. Është punuar me kujdes që gjithçka të bëhet e të duket sa më origjinale. Prandaj edhe duket që në përpilimin e këtij libri kanë marrë pjesë specialistë të ushtrisë, të policisë, të kriminalistikës, të UDB-së, të shërbimit informativ ushtarak, të kishës dhe të politikës. Gjithë ky potencial specialistësh janë angazhuar për të sjellë në publikun serb e ndërkombëtar këtë libër, i cili është shpërndarë edhe nëpërmjet internetit në gjuhën serbisht dhe anglisht. Ky libër është botuar në Beograd në vitin 2004, me një tirazh 500 kopje dhe mban numrin e ISBN 86-7552-015-8. Në vazhdim do të sjellë gjithë ato pjesë të përmbajtjes së këtij libri që duket se janë përdorur në raportin e Dick Martyt, duke bërë sqarimet dhe komentet përkatëse.

Bëhet pra shkas për t’u marrë me këtë punë, raporti i publikuar në emër të strukturave të Bashkimit Evropian nga një person që quhet Dick Marty, që emërtohet raportues i Këshillit të Evropës, i cili nuk thotë asgjë të re veç atyre që janë botuar në librin që po e citojmë gradualisht në vazhdim e që për njerëzit normal janë të njohura, ndërsa për ata si Dick Marty që janë në shërbim të Serbisë ne nuk kemi pse harxhojmë kohë e mundim për t’i sqaruar, sepse ata nuk shkruajnë se nuk dinë të vërtetën, por shkruajnë se ashtu e dëshirojnë të vërtetën. Sidoqoftë mua më shqetëson një pyetje: Edhe për sa kohë Evropa do të ketë elementë që do të flasin për shqiptarët siç flet Serbia? (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Niveli i përhapjes së Covid-19 vijon të rritet në shtetet…