Serbët e Bosnjës blejnë armë në Serbi

13 shkurt 2018 | 21:02

2.500 pushkë automatike nga Serbia,  do të mbërrijnë në entitetin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës në mars dhe disa javë para hapjes së planifikuar të një qendre të re të trajnimit, ku pritet që të punojnë këshilltarë rusë, shkruan gazeta britanike “Guardian”.

“Armët arrijnë në kohën kur stabiliteti afatgjatë i Bosnjës është në pikëpyetje,” shkruan gazeta britanike, duke kujtuar se Marrëveshja e Dejtonit me të cilën iu dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë 22 vjet më parë, ka ndarë vendin në dy pjesë gjysmë-autonome, Republikës Serbe dhe Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.

Aktivistë të shoqërisë civile serbe, Qeveria në Sarajevë dhe diplomatët perëndimorë besojnë se njësitë e reja policore të armatosura rëndë do të përdoren nga lideri separatist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik për të konsoliduar pozitën e tij dhe për të frikësuar kundërshtarët përpara zgjedhjeve në tetor.

Ka frikë se këto forca policore mund të përdoreshin për të ndihmuar qëllimet e Dodik për arritjen e pavarësisë së serbëve, me rrezikun e një lufte të re në rajon. Rusia mbështet Dodikun, i cili u takua me presidentin rus Vladimir Putin të paktën gjashtë herë që nga viti 2014, pasi ai e sheh atë si një digë për të mbrojtur Bosnjën nga hyrja në NATO.

“Guardian”,  shkruan edhe për lidhjet e Dodikut me rusët dhe se anëtarët e grupit paramilitar “Nderi i Serbisë”, të trajnuar në Rusi, janë shfaqur në rrugët e Banja Llukës, transmeton “kp”.

Dodik ka konfirmuar blerjen e armëve dhe tha se kjo është bërë për të luftuar terrorizmin, dhe se ishte krejtësisht legjitime dhe nuk ka asgjë për të fshehur. Qendra e Trajnimit për forcat policore të RS-së kundër terrorizmit ka kushtuar katër milionë dollarë dhe do të hapet në prill në vendin e ish-kazermës në Zaluzhanit pranë Banja Lluka.  Ministri i Brendshëm i Republika Serbe, Dragan Lukaq nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Moskën në vitin 2015, sipas së cilës ekspertët rusë do të ofrojnë trajnime në luftën kundër terrorizmit në atë qendër.  Sipas gazetës, një aktivist i opozitës serbe në kushte anonime ka bërë të ditur se këshilltarët rusë tashmë kanë arritur në rajonin e Banja Llukës dhe Zaluzhanit, dhe është planifikuar që terminali i ri i aeroportit lokal të përdoret si “qendër humanitare” ruse, i ngjashëm me atë në Nish, për të cilin autoritetet amerikane dyshojnë se në fakt paraqet qendrën e operimeve të inteligjencës ruse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo fotografi është bërë në muajin prill të vitit 1998…