Serbët s’do të jenë pjesë e qeverisë malazeze, Mandiç: Ata që e mbështetën Milatoviçin duhen të jenë pjesë e ekzekutivit

29 gusht 2023 | 17:59

Presidenti i Demokracisë së Re Serbe dhe një nga liderët e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb – Andrija Mandiç, nuk është pajtuar me faktin që mandatari për të formuar qeverinë e 44-të malazeze, lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, nuk do t’i bëjë pjesë të ekzekutivit të tij.

Sipas Mandiç-it, të gjithë ata që e kanë mbështetur Jakov Milatoviç-in në zgjedhjet presidenciale, në garën kundër Milo Gjukanoviç-it, duhet që të jenë pjesë e qeverisë së 44-të malazeze.

Ai pretendon se është “e paqëndrueshme dhe e papranueshme që përfaqësuesit autentikë të popullit serb që në mënyrë dominuese morën pjesë në përmbysjen e diktaturës së fundit në Evropë” të jenë jashtë qeverisë së ardhshme të Malit të Zi.

“Nuk është sekret se disa qeveri të mëparshme në Mal të Zi janë formuar nga ambasadorët e fuqive të mëdha perëndimore dhe nuk është çudi që disa prej atyre ambasadorëve kanë arritur në përfundimin se kjo qeveri duhet të formohet nga ata”, tha Mandiç, transmetojnë mediat serbe.

Ai theksoi se është koha që Mali i Zi “të pushojë së qeni koloni”, duke shtuar se “është koha që qytetarët të vendosin për fatin e tij”.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me 10 gusht ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, për të krijuar qeverinë e re.

Ai, sipas afateve ligjore ka 90 ditë për ta bërë një gjë të tillë.

Ai ka përjashtuar çfarëdo mundësie për të bërë koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve – partinë e Milo Gjukanoviç-it, si dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviç-it, ndërsa ka bërë me dije se edhe koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që qeveria e re malazeze që do të vije ta shpallë të mbyllur çështjen e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre kosovarë mes tyre një vajzë janë në hetim pasi…