Serbia dhe Kina nënshkruajnë memorandum

12 dhjetor 2023 | 08:26

Bankat qendrore të Serbisë dhe Kinës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një marrëveshjeje kliringu dhe përcaktimin e një banke kliringu në Serbi për juanin kinez, njoftoi më 11 dhjetor Banka Kombëtare e Serbisë (NBS).

Guvernatorja e NBS-së, Jorgovanka Tabakoviç dhe guvernatori i Bankës Kombëtare të Kinës, Pan Gongsheng, nënshkruan një dokument që rregullon bashkëpunimin në lidhje me kryerjen e transaksioneve në juan kinez nga bankat në Serbi, shkruan REL.

“Ky është një hap tjetër në përmirësimin e bashkëpunimit kinezo-serb në fushën e shërbimeve financiare, me të cilin ne krijojmë kushte për përmirësimin e shlyerjeve dhe promovimin e transaksioneve në juan kinez”, tha Tabakoviç.- Advertisement –

Kliringu është një marrëveshje ndërmjet subjekteve bankare mbi bazën e së cilës bëhet pagesa. Ajo thjeshton transaksionet e pagesave ndërmjet individëve dhe personave juridikë. Kliringu rregullohet zyrtarisht nga banka qendrore ose organizata të tjera kompetente ekonomike dhe financiare.

Banka Kombëtare e Serbisë njoftoi se kjo marrëveshje do të promovojë transaksionet ndërkufitare në juan kinezë për kompanitë dhe institucionet financiare në Kinë dhe Serbi dhe do të lehtësojë më tej tregtinë dhe investimet.

Në janar 2015, Banka Kombëtare e Serbisë e përfshiu juanin kinez në listën e monedhave që mund të tregtohen në tregun e brendshëm valutor.

“Rritja e fortë e tregtisë ndërmjet vendeve tona, si dhe fluksi i lartë i investimeve, shtojnë edhe më tej nevojat e pjesëmarrësve për juan kinez në tregun serb”, tha Tabakoviç.

Po ashtu u bë e ditur se nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit konfirmon edhe përkushtimin e dy bankave qendrore për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kinës dhe Serbisë.

Kabineti i guvernatorit të NBS-së njoftoi se në njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit 2023 janë realizuar 7.1 miliardë euro në tregtinë ndërbankare dhe se vëllimi i tregtisë valutore në tregun e brendshëm në muajin nëntor ishte 741.3 milionë euro – 20.9 milionë euro më pak se një muaj më parë.

Banka Kombëtare e Serbisë njoftoi se rezervat valutore neto në fund të nëntorit arritën në 20.1 miliardë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka…