Serbia e kthen shikimin prapa tek UÇK-ja, pasi ajo i ka shkaktuar më shumë dhimbje (22)

04 gusht 2020 | 11:05

Shkruan: Kudusi Lama

“Veprimtaritë me prioritet të pjesëtarëve të këtyre grupeve në funksion janë frikësimet e popullsisë serbe dhe të spastrimit etnik të territorit të Kosovë-Matohisë, likuidimin e dëshmitarëve potencialë për akuzat eventuale të Hagës kundër terroristëve shqiptarë dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë dhe të bashkëpunëtorëve të tyre”.[1]

Po të kishte një veprimtari të tillë në Kosovë pas luftës çlirimtare, nuk do të kishte sot serbë në Kosovë. Por shqiptarët janë qytetarë modernë, ata nuk kryejnë asnjë veprim denigrues e shfarosës ndaj atyre që qëndrojnë në të drejtën e tyre, qofshin ata edhe serbë.

Por në gjithë këtë fjalologji Serbia do të bënte mirë të thoshte si e shpërnguli nga shtëpitë e tyre 75 për qind të popullit shqiptar në vitin 1999. Kështu ndoshta do të detyrohej të bënte në një mënyrë një kërkim faljeje publike për veprën e saj masakruese ndaj një kombi të tërë. E sa u përket likuidimeve, nuk mund të flitet në erë, pasi Kosova është një shtet demokratik dhe shumëllojshmëria e ideve politike për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit duke përmirësuar në vazhdimësi jetën e popullit është kusht i demokracisë që po ndërtohet në Kosovë. Njëkohësisht duhet ditur se edhe serbët e Kosovës kanë krijuar një tufë me parti politike dhe nuk po i shqetëson askush. Por dihet qëllimi i deklarimeve të tilla, nëpër të cilat synohet të krijohen parakushte për konflikte politike në Kosovë. Megjithatë kam kuptuar se shpifje të tilla nuk kanë luajtur asnjë rol në Kosovë, pasi aty të gjithë e dinë se çfarë bëjnë dhe mund të thuhet se atmosfera politike më harmonike se në Kosovë në pak vende është në Evropë.

Fatkeqësia qëndron në mashtrimin e opinionit ndërkombëtar, që nuk e njeh gjendjen e vërtetë në Kosovë, e nëpërmjet këtyre deklarimeve të gënjeshtërta krijon mendim të gabuar se dukuri të tilla mund të jenë të vërteta. Pa folur pastaj kur gjendet edhe ndonjë megafon keqdashës, si zotëri Marty, që i përforcojnë këto tullumbace të toksike që i hedhë Serbia në qiellin shqiptar për ta ndyrë e helmuar.

“Veçanërisht janë vërejtur veprimtaritë e grupeve që quhen: ‘Ideali’, ‘Skifteri’, ‘BIA’, ‘Kështjella’, ‘Shqiponjat e  Mëdha’, ‘Dora e zezë’, ‘Syri i Shqiponjës’, ‘Shqiponjat e Zeza’, ‘Tigrat e Zinj’, ‘Maskat e Zeza’, ‘Zjarri’, ‘Akatana’,  ‘Siguria e Vendit’, ‘Siguria e Atdheut’, ‘Flamur Kombëtar’, etj.”.[2]

Duke përmendur emërtime të tilla pas përfundimit të luftës në Kosovë, Serbia duket sikur kërkon të bëjë barazimin me emërtimet e njësive kriminale paramilitare të saj që kanë vepruar në Kosovë gjatë luftës. Por nuk mund të bëhet barasvlefshmëri e tillë, pasi ky popull i ka përjetuar me tmerr veprimet e tyre dhe masakrat që ata kanë kryer mbi këtë popull për gjatë gjithë periudhës së luftës. Kurse UÇK-ja nuk kishte pse të ngrinte struktura luftarake pasi lufta kishte përfunduar. Të gjithë emrat e njësive kriminale është mirë Serbia t’i adresojë atje ku edhe sot vepron, në zonat ku bën akoma krime dhe terrorizëm, ku banojnë serbët si qytetarë të Kosovës së çliruar, sepse prej shqiptarëve populli shqiptar e di mirë nëse kanë vepruar apo jo njësi të tilla.  “Shfaqja e pjesëtarëve të UKSH në mjediset fshatare të kujton daljen në skenë të anëtarëve të UÇK-së gjatë viteve 1996 e 1997, kur me metodat e frikësimit, kurse më vonë edhe me likuidime, e imponuan popullsinë shqiptare që t’iu bashkoheshin masivisht atyre”.[3]

Duke bërë një deklarim vlerësues, për Armatën Kombëtare Shqiptare, një strukturë që u deklarua në vitin 2002, për të mbrojtur fitoret e arritura nga Ushtritë çlirimtare të mëparshme dhe avancuar ato më tej, Serbia e kthen shikimin prapa tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pasi vërtetë ajo i ka shkaktuar më shumë dhembje. Dhe prapë i kthehet për t’i përforcuar metodave të frikësimit e të imponimit që i paska bërë UÇK-ja popullit shqiptar që të dalë në luftë kundër Serbisë. Nuk e di vërtetë mendon Serbia se ka ndonjë shqiptar që do të pranonte të ishte nën sundimin e saj? Nëse vërtetë mendon kështu, do të ndihesha i habitur dhe do të vlerësoja se Serbia nuk korrigjohet e do të apeloja për të gjithë shqiptarët që të rritin vigjilencën ndaj Serbisë se megjithëse jashtë Kosovës, mbetet e rrezikshme si dje kur na kishte nën sundim kolonial.

“Dhuna në Kosovë – Metohi kryhet për motive etnike, politike dhe ekonomike. Më të shumta në numër dhe më të pa skrupuj janë sulmet e shqiptarëve mbi serbët dhe malazezët të kryera për shkak të urrejtjes nacionale, me qëllim të spastrimit etnik. Është e dukshme se një numër i madh i këtyre krimeve është kryer me plan dhe që rezultatet e hetimeve shpesh kanë treguar për ndërhyrjen e UÇK-së, përkatësisht tani të UKSH-së, por që një numër i vogël vepruesish është zbuluar, siç kanë pohuar në njoftimet e tyre edhe përfaqësuesit e OSBE-së në Prishtinë. (Në mesin e vitit 2003, mediet perëndimore kanë vërejtur se nga qershori 1999 numrin më të madh të sulmeve terroriste e kanë filluar ekstremistët shqiptarë mbi serbët dhe pjesëtarët e pakicave të tjera etnike. Rezultati është dëbimi i pothuaj 240.000 joshqiptarëve nga Kosovë – Metohia, ndërsa pjesëtarët e pakicave që mbetën në Krahinë u grupuan në enklavat e izoluara)”.[4]

Unë duke lexuar këtë citim kam dëshirë të pyes publikisht çdo njeri që njeh gjendjen: A ka sot serb që nuk është në shtëpinë e tij në Kosovë dhe a ka shqiptarë që nuk është në shtëpinë e tij në Kosovë?

Sepse sot, në Kosovë të gjithë serbët janë në shtëpitë e tyre, janë në pronën e tyre, shkojnë në rrugën ku shkojnë të gjithë, punojnë në punën e tyre, kanë pushtetin e tyre dhe askush nuk i ngacmon. Mund edhe të ketë të larguar por me sa shihet, janë të larguar ata serbë e malazezë që u sollën nga Bosnje – Hercegovina, Kroacia e Serbia gjatë luftërave të pas vitit 1990. Të cilët u sollën masivisht në Kosovë e natyrisht edhe unë po të isha njëri prej tyre, pas largimit të Serbisë nuk do të qëndroja si kolonë në një shtet të huaj. Ndërsa edhe sot ka shqiptarë, që prej presionit të serbëve nuk kanë shkuar në shtëpitë dhe pronat e tyre megjithëse lufta ka përfunduar prej mbi 20 vjetësh. Unë këtë e konsideroj shqetësim, por ky fakt nuk përmendet as në fjalorin e Serbisë e as të Dick Martyt. Nëse serbët kanë shqetësime se duan Serbinë në Kosovë, ta kuptojnë njëherë e mirë që përjetësisht kjo s’ka për të ndodhur më. Për këtë të jetë i sigurt edhe zotëri Marty me gjithë raportin e tij antishqiptar në emër të Këshillit të Evropës.

“Në periudhën nga ardhja e forcave Ndërkombëtare në Kosovë – Metohi deri në 23 gusht të vitit 2003, terroristët shqiptar kryen në territorin e Krahinës dhe në komunat e Preshevës e Medvegjës gjithsej 6.571 sulme, nga të cilat 5.962 mbi serbët e malazezët, 207 mbi shqiptarët 335 mbi personat e kombësive të  tjera. Në të njëjtën periudhë mbi pjesëtarët e policisë janë kryer 57, kurse mbi përfaqësuesit e ushtrisë së Serbisë – Malit të Zi gjithsej 10 Sulme. Në këtë rast janë vrarë 1.206 persona dhe janë plagosur 1.319 qytetarë dhe 15 policë. Fati i 846 vetave, nga gjithsej 1.146 persona të rrëmbyer, deri tani nuk dihet”.[5]

Lexojeni këtë paragraf për të kuptuar se si përzihen ngjarjet dhe territoret për të sjellë një emërues të përbashkët – emrin e UÇK-së. Me ardhjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë a kishte më ushtri e polici serbe që të bëheshin sulme ndaj tyre? Gjithkush e di se nuk kishte dhe praktikisht sulme të tilla ishin të pa mundura, pasi forcat shqiptare nuk janë futur asnjëherë në territore përtej kufijve të Kosovës. Ndërsa në qoftë se flitet për Ushtrinë Çlirimtare Preshevë – Medvegjë – Bujanovë, dihet që Serbia me këtë ushtri me prezencë ndërkombëtare ka nënshkruar një marrëveshje paqeje. Marrëveshje që nga pozitat e të fortit deri tani nuk e ka zbatuar. Ashtu sikurse është nënshkruar edhe një marrëveshje paqeje në Ohër me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare nga shtetin i Maqedonisë, e cila gjithashtu akoma mbetet e pa implementuar.

Këto janë veprimtari në kuadër të lëvizjes kombëtare dhe unë mendoj se lëvizja kombëtare edhe pas këtyre nuk duhet të ndalet deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare e bashkimin e të gjithë shqiptarëve e trojeve të tyre në një shtet të vetëm kombëtar.

Dhe shikoni që Serbia për ato çfarë i intereson të ngrejë shpifje paska evidenca të çuditshme, kurse për rreth 2 mijë të zhdukurit shqiptar nuk ka evidencë, që është një tregues i fuqishëm i prezencës së mashtrimit dhe shpifjes kundërshqiptare me qëllime të caktuara, siç duket si instruksion për zotëri Martyn, që të ketë material të bollshëm për raportin.

“Veçanërisht shqetësuese është tendenca e rritjes së numrit të vrasjeve të shqiptarëve që janë në listë dëshmitarë ose që kanë dëshmuar kundër pjesëtarëve të paditur të UÇK-së”.[6]

Paragrafi i cituar më lartë është një ideologji të cilën Serbia nuk e përdorë për herë të parë. Kjo është ideologjia që ka përdorur gjatë gjithë hapësirës kohore të pushtimit. Sepse gjithnjë është përpjekur të ngulit tek të gjithë shqiptarët, idenë që rreziku i shqiptarëve janë shqiptarët; që shqiptarët i bëjnë vetëm keq njëri tjetrit; që shqiptarët duhet të jenë vigjilent ndaj rrezikshmërisë që paraqesin ndërmjet vetes; që shqiptarët janë hakmarrës dhe të egër me njëri tjetrin; që shqiptarët po u prishe interesat e tyre të likuidojnë etj. Të gjitha këto ne i njohim dhe e dimë që Serbia atë program ka, sepse vetëm ashtu mund ta mbante të sunduar Kosovën dhe të mbajë viset e tjera të pushtuara, duke përçarë shqiptarët në mënyra nga më monstruozet. Por që këtë fjali e përdorë edhe Dick Marty në raportin e tij, kjo të duket pak interesant, pasi nuk ndalet vetëm me akuza për vepra të kryera por edhe me paramendime se çfarë mund të ndodh në qoftë se këto akte dalin në dritë.

“Ekspansioni i krimit të organizuar në Kosovë – Metohi është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimtarive terroriste të UÇK-së, disa udhëheqës të së cilës kanë shfrytëzuar autoritetin në këtë organizatë për të vendosur kontrollin mbi tregtinë ilegale në zonën e vet të kompetencave (para)ushtarake”.[7] (Vijon)

 

[1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 17, botimi serbisht

[2] Po aty faqe 17

[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 20, botimi serbisht

[4] Po aty faqe 21

[5] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 21, botimi serbisht

 

[6] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 22, botimi serbisht

[7] Po aty faqe  28

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Menaxherja e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) për…