Konsensusi i brendshëm për dialogun, i domosdoshëm

04 gusht 2020 | 11:03

Menaxherja e projektit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) për dialogun Kosovë – Serbi, Jeta Krasniqi, ka kritikuar partitë politike për mungesën e gatishmërisë për të arritur një konsensus nacional për dialogun Kosovë – Serbi.

Ajo ka vlerësuar se për këtë proces Kosovës i duhet një konsensus nacional. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Krasniqi ka thënë se pesha më e madhe e ndërtimit të konsensusit politik i takon qeverisë, por edhe partitë opozitare kanë rolin e tyre.

“Skena politike është duke dëshmuar mungesë të gatishmërisë për të ndërtuar një qëndrim unik rreth procesit të dialogut. Patjetër që pesha më e madhe e ndërtimit të konsensusit politik i takon qeverisë si udhëheqëse e këtij procesi, por edhe partitë opozitare kanë rolin e vet. Procesi kërkon bashkërendim institucional, kërkon transparencë, llogaridhënie dhe gjithpërfshirje”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka theksuar se partitë politike deri më tani po tregojnë papjekuri politike për këtë proces. “Skena politike duket tejet e fragmentarizuar dhe nuk po mund ta dëshmojë pjekurinë politike të nevojshme për këtë proces. Procesi ka rifilluar, diskutimet po mbahen, ndërsa brenda politikës së Kosovës ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë drejt ndërtimit të unitetit të nevojshëm për këtë proces”, ka deklaruar Krasniqi.

Duke komentuar rifillimin e procesit të dialogut të Brukselit, Krasniqi ka thënë se ende nuk është e qartë agjenda e këtij procesi.

“Tani pas takimeve në nivel të lartë, dhe takimeve në nivel të koordinatorëve, nuk është ende e qartë agjenda e procesit. A vazhdohet me proces aty ku ka mbetur në nivel të presidentëve apo janë duke u ridiskutuar temat. Ndërsa tri prej temave tashmë janë bërë të qarta: personat e pagjetur, të zhvendosurit dhe zhvillimi ekonomik. Mbetet të shihet se cilat do të jenë temat e radhës dhe si do të arrihet të ndërtohet procesi deri te gatishmëria e palëve për ta përmbyllur atë me njohje formale reciproke”, është shprehur ajo.

“Epoka e re”: Znj. Krasniqi, tashmë ka rifilluar procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e keni parë takimin e parë të nivelit politik dhe më pas takimet e koordinatorëve?
Krasniqi: Me heqjen e të gjitha masave, në radhë të parë tarifën prej 100 përqindësh dhe më pas dhe masat e reciprocitetit ndaj produkteve të importuara nga Serbia, rifillimi i procesit të dialogut ishte i pritshëm. Ndërsa u prit që do të kishte një Samit në Uashington dhe potencialisht një marrëveshje qoftë me bazë ekonomike që do të shtyhej përpara nga kryeqyteti amerikan, zhvillimet e tjera politike ndikuan në mosmbajtjen e këtij takimi.
Në anën tjetër, ashtu siç ishte paralajmëruar, pas takimeve të emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, palët do të rifillonin takimet ku Samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti Macron me pjesëmarrje të kancelares Merkel, për t’ia dhënë mbështetjen politike të nevojshme këtij procesi dhe për ta shprehur interesimin e BE-së rreth tij. Ashtu siç u deklarua më pas, ky samiti synoi t’i ofronte mbështetje rifillimit të procesit të dialogut si dhe vetë emisarit special Lajçak për ta përçuar mesazhin që BE-ja qëndron prapa Lajçakut në këtë proces. Ajo çfarë mbetet për ne e rëndësishme si Kosovë është ta qartësojmë pozicionin tonë në këtë proces, përfshirë dhe pritshmëritë tona nga procesi. Kosova duhet t’i qartësojë kërkesat e veta ndaj BE-së, shteteve anëtare si dhe ShBA-së. Duhet të kërkohet që procesi të mos ketë më ambiguitet në artikulimin e marrëveshjes, ndërsa të ketë një përfshirje më të madhe të vet Gjermanisë dhe Francës si dhe ShBA-së për ta shtyrë atë drejt rezultatit të pritshëm – njohjes reciproke. Vërtet Lajçaku përfaqëson BE-në, por vendimmarrja e BE-së është brenda shteteve anëtare, pra Këshillit. Andaj edhe kjo çështje kërkon vëmendjen e shtuar të shteteve anëtare pasi në kuadër të tij kërkohet njohja nga 5 shtetet jonjohëse, ofrimi i perspektivës së qartë dhe të prekshme për Kosovë, të cilat Lajçaku i vetëm nuk mund t’i ofrojë apo garantojë.

“Epoka e re”: Opozita, por edhe vetë partnerët e koalicionit qeverisës e kanë kritikuar qasjen e kryeministrit Hoti në këtë proces, duke thënë se Kosova po rrezikon të rrëshqasë në dialog teknik me Serbinë. Sa janë reale këto shqetësime?
Krasniqi: Duhet të kuptojmë drejt se çfarë nënkuptohet me dialog teknik dhe atë politik. Në radhë të parë, duhet thënë se çështjet të cilat janë diskutuar në mes të Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011 janë politike, edhe pse natyrae tyre mund të duket teknike. Përgjatë negociatave palët kanë ruajtur qëndrimet e tyre rreth statusit të Kosovës, Kosova si shtet i pavarur përballë Serbisë e cila nuk e ka pranuar të njëjtën, prandaj dhe vetë marrëveshjet janë mveshur me natyrë të paqartësisë, që u njoh si ambiguiteti konstruktiv, ku secila palë kishte hapësirën e nevojshme për t’i interpretuar marrëveshjet sipas qëndrimeve të tyre politike. Faza finale e dialogut ka filluar në qershor 2017 në nivel të të dy presidentëve, ku u tha se do të arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme. Deri në pezullim të dialogut palët kanë zhvilluar diskutime rreth një sërë çështjesh të cilat janë bërë të njohura për publikun në një dokument që presidenti pat ndarë në janar 2019 me delegacionin shtetëror. Ndër çështjet ë u bënë të ditura: të pagjeturit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, prona, të drejtat e minoriteteve/komuniteteve joshumicë, kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike në Kosovë, bashkëpunimi ekonomik/infrastrukturor; marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa dihet që çështja e korrigjimit të kufijve ishte pjesë e diskutimit mbi të cilën nuk pat mbështetje të brendshme në Kosovë por, mbi të gjitha, kishte një qëndrim të ndarë të faktorit ndërkombëtar, përkatësisht Gjermanisë dhe ShBA-së. Në këtë fazë palët pritet të flasin për një marrëveshje të vetme, pra të arrijnë dakordim për një sërë çështjesh në paketë, dhe jo më si në të kaluarën, të arrihen marrëveshje individuale për çështje të caktuara, për shembull, diplomat, lëvizja e lirë e kështu me radhë. Kjo çështje duhet sqaruar pasi tema e parë kishte të bënte me të pagjeturit. Kjo është një temë shumë e ndjeshme dhe duhet kuptuar që nëse nuk ka pajtim për të gjitha çështjet nuk do të ketë për asnjërin. Pra, duhet të bëhet menaxhimi i pritshmërisë me anë të ofrimit të informacionit të duhur dhe qartësimin e vet procesit. Tani pas takimeve në nivel të lartë, dhe takimeve në nivel të koordinatorëve, nuk është ende e qartë agjenda e procesit. A vazhdohet me proces aty ku ka mbetur në nivel të presidentëve apo janë duke u ridiskutuar temat. Ndërsa tri prej temave tashmë janë bërë të qarta: personat e pagjetur, të zhvendosurit dhe zhvillimi ekonomik. Mbetet të shihet se cilat do të jenë temat e radhës dhe si do të arrihet të ndërtohet procesi deri te gatishmëria e palëve për ta përmbyllur atë me njohje formale reciproke.

“Epoka e re”: Qeveria aktuale po shihet se është e brishtë nga numrat. A besoni se është e përgatitur dhe e gatshme që kjo qeveri të përballet me këtë proces?
Krasniqi: Procesi i dialogut Kosovë – Serbi është një proces që shkon përtej një qeverie, siç e kemi parë tashmë, pasi procesi ka filluar që më 2011. Edhe nëse arrihet një marrëveshje në mes palëve, gjatë këtij viti apo vitin e ardhshëm, e njëjta duhet të zbatohet dhe zbatimi do të marrë kohë, duke kaluar nga një qeveri te tjetra. Prandaj duhet të ndërtohet një konsensus i brendshëm politik i cili shkon përtej agjendave politike ditore, por që konsiston në agjendë shtetërore të mirë menduar dhe të projektuar për periudhë afatgjatë.

“Epoka e re”: Edhe në debatin e fundit parlamentar u pa se subjektet politike nuk mund ta unifikojnë një qëndrim për këtë çështje. Cila duhet të jetë qasja e institucioneve të Kosovës karshi dialogut të Brukselit, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e kaluara në këtë proces?
Krasniqi: Skena politike është duke dëshmuar mungesë të gatishmërisë për të ndërtuar një qëndrim unik rreth procesit të dialogut. Patjetër që pesha më e madhe e ndërtimit të konsensusit politik i takon qeverisë si udhëheqëse e këtij procesi, por edhe partitë opozitare kanë rolin e tyre. Procesi kërkon bashkërendim institucional, kërkon transparencë, llogaridhënie dhe gjithpërfshirje. Skena politike duket tejet e fragmentarizuar dhe nuk po mund ta dëshmojë pjekurinë politike të nevojshme për këtë proces. Procesi ka rifilluar, diskutimet po mbahen, ndërsa brenda politikës së Kosovës ende nuk ka ndërmarrë hapa konkretë drejt ndërtimit të unitetit të nevojshëm për këtë proces.

 “Epoka e re”: Kjo qeveri vazhdimisht ka thënë se do të ketë transparencë të plotë në këtë proces. Sa ka pasur transparencë për takimet e zhvilluara deri me tani?
Krasniqi: Transparenca nuk ka qenë elementi më i fortë i këtij procesi që në fillim. Duket se mungesa e transparencës është duke e karakterizuar edhe këtë fazë të tij, pavarësisht prej deklaratave të qeverisë se do të jetë transparente rreth dialogut. Është më se e kuptueshme që në proces të negociatave, siç janë dhe këto Kosovë – Serbi, ekziston një masë e konfidencialitetit, por nevoja për transparencë ka të bëjë me qartësimin e procesit, pritshmërinë e palës së Kosovës dhe qasjen që do ta mbajë. Lajçaku në vizitën e tij në Kosovë deklaroi se ka një pajtim rreth elementeve të procesit, të cilat ende nuk janë bërë publike. Transparenca është e nevojshme për ta fituar edhe mbështetjen dhe besimin e shoqërisë ndaj këtij procesi.

“Epoka e re”: Në këtë fazën fillestare nuk kemi parë ndonjë pjesëmarrje shumë aktive të ShBA-së në dialogun e Brukselit. Cili mendoni se do të jetë roli i ShBA-së në vazhdim të këtij procesi?
Krasniqi: ShBA-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga fillimi i këtij procesi në vitin 2011. Mbështetja e saj ka qenë qenësore për t’i shtyrë palët drejt arritjes së marrëveshjeve nën ndërmjetësimin e BE-së, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e prillit të 2013-s. Duke konsideruar që tashmë po proklamohet që palët synojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme në kuadër të së cilës synohet njohja reciproke, mbështetja e ShBA-së mbetet domosdoshmëri. Duhet kuptuar që nëpërmjet këtij procesi Kosova duhet ta synojë konsolidimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar që do të vijë me anëtarësimin në OKB. Prandaj, ShBA-ja duhet të jetë pjesë e procesit për të arritur deri te përmbushja e këtyre pritshmërive nga procesi.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim…