KOMB-TJETËRSUESI, KOMB-NDARËSI DHE KOMB-VRASËSI NEXHMEDIN SPAHIU SËRISH HELMON…!
Shkruan Xhevat Hasani
Me datë 19 maj të këtij viti 2026 në një debat në televizionin Euronews të Shqipërisë lidhur me protestën e studentëve shqiptarë të mbajtur në qytetin e Shkupit, ishte ftuar edhe Nexhmedin Spahiu i njohur për idetë e tij komb-tjetërsuesë, komb-ndarëse dhe komb-vrasëse në raport me kombin shqiptar, ide këto të cilat ai nuk la pa i propaganduar edhe në këtë debat, i cili s`kishte të bënte aspak me këtë temë.
Sipas komb-ndarësit Spahiu, nga etnia shqiptare në Kosovë është krijuar „kombi kosovar“! Por kjo nuk qëndron aspak sepse duke qenë shqiptarët e Kosovës komb monoetnik shqiptar (komb shqiptar që nuk ka bërë përzierje etnike me etni tjera), prej etnisë shqiptare nuk mund të krijohet një komb tjetër joshqiptar, të cilin komb-ndarësi Spahiu e quan „komb kosovar“.
Kjo është kështu sepse kur është fjala për kombet monoetnike – etnia dhe kombi paraqesin të njëjtën gjë, gjë që pajtohet me teoritë gjermane për kombin, adekuate për përshkrimin e kombeve monoetnike.
Vetëm te kombet multietnike etnitë komb-krijuese dhe kombi multietnik i krijuar prej tyre – paraqesin dy gjera të ndryshme. Kjo ndodh sepse me këtë rast nga konglomerati i etnive të ndryshme, krijohet një komb i ri multietnik i cili nuk identifikohet me asnjërën nga etnitë komb-krijuese. Kështu, etnitë komb-krijuese dhe kombi i ri i krijuar prej tyre janë dy gjera të ndryshme.
Nga etni të ndryshme (angleze, gjermane, franceze, zezake etj.) në vitin 1776 është krijuar kombi multietnik amerikan, emri i të cilit nuk pajtohet me emrat e asnjërës nga etnitë e ndryshme prej të cilave ai është krijuar. Prandaj etnitë komb-krijuese dhe kombi amerikan i krijuar prej tyre – janë dy gjëra të ndryshme, gjë që pajtohet me teoritë franceze për kombin, adekuate për përshkrimin e kombeve multietnike.
Por, meqë panelistët e atij debati nuk ditën t`i kundërshtojnë idetë komb-ndarëse të Spahiut, duke e bërë dallimin e sqaruar më lartë në mes të kombeve monoetnike dhe multietnike, kjo bëri që komb-ndarësi Spahiu të ndihej i fituar.
Dhe jo vetëm kaq por kur dy panelistë duke u ndier inferior ndaj Spahiut edhe filluan t`i drejtohen atij me profesor, ndërkohë që Kosovë ka pasur dhe ka supozime se ai (Spahiu) nuk e ka kryer Fakultetin e Shkencave politike, por ka kryer vetëm disa kurse për politikë në Angli, kjo bëri që komb-ndarësi Spahiu edhe të kapërdisej si kokosh.
Në Kosovë ka kohë që supozohet se Spahiu jep mësim në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë pa e pasur diplomën studimit të shkencave politike në ndonjë Universitet. Por, ajo që dihet saktë është se ai duke iu ligjëruar studentëve të shkencave politike teorinë e kombit, tani më ka shumë vite që është përpjekur dhe përpiqet t’i indoktrinoj studentët me të ashtuquajturin „komb kosovar“.
Duke pasur parasysh se në asnjë televizion të vendeve të Evropës (nëpërmjet të ligjeve të shkruara dhe të pashkruara) nuk lejohen debate për ndarjen e kombit (kombeve) në dy kombe, kjo flet se edhe televizioni Euronews në Shqipëri dhe televizionet tjera në Kosovë e Shqipëri, nuk duhet t`u japin hapësirë propagandimit të ideve komb-tjetërsuese, komb-ndarëse dhe komb-vrasëse jo vetëm të Nexhmedin Spahiut, por edhe të kujtdo qoftë tjetër. Kjo sepse duke qenë këto ide sa destruktive aq edhe toksike për masat e gjera njerëzore, ato çojnë në ndarje dhe për rrjedhojë edhe në përçarje dhe urrejtje brenda pjesëtarëve të të njëjtit komb, në rastin konkret brenda pjesëtarëve të të njëjtit komb shqiptar në Kosovë, Shqipëri etj.
Kushtetuta e Kosovës e ndalon dhe e ndëshkon me nene të veçanta futjen e përçarjes dhe të urrejtjes si në mes të pjesëtarëve të komuniteteve etnike të ndryshme, ashtu edhe në mes të pjesëtarëve të komuniteteve të njëjta etnike.



