Serbia në veri po imiton Rusinë, para se ajo ta sulmonte Ukrainën

16 dhjetor 2022 | 14:00

-Plani franko-gjerman i shërben Serbisë për ruajtjen e status-quos

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se Serbia është duke e imituar Rusinë në veri të Kosovës, para se ajo ta sulmonte Ukrainën.

Sipas Berishës, situata në veri është me rrezikshmëri të lartë. Në këtë intervistë dhënë “Epokës së re”, Berisha ka thënë se ShBA-ja dhe BE-ja duhet t’i detyrojnë serbët jo vetëm t’i largojnë barrikadat por edhe t’i dorëzojnë kriminelët që kanë organizuar plagosjen e policit dhe nxitur tensionimin e situatës në veri.

Në këtë kontekst, Berisha është shfaqur kritikë ndaj qeverisë Kurti, e cila sipas tij, i ka lëshuar terren Vuçiqit duke ia krijuar arsyeshmërinë për vendosjen e barrikadave dhe nxjerrjen nga administrimi shtetëror të 17 për qind të territorit të Kosovës

“Epoka e re”: Z. Berisha edhe pas vizitës se emisarit amerikan, Gabriel Escobar në Kosovë dhe deklaratës se tij që të hiqen barrikadat situata në veri mbetet e njëjtë. Pse po ndodh kjo?

Berisha: Deklarata e Escobarit ishte decizive dhe kërkonte largimin politik të barrikadave. Arsyeja pse edhe pas këtij qëndrimi të diplomatit amerikan, gjendja në veri mbetet e njëjtë është pikërisht pamjaftueshmëria politike e deklaratave të të dërguarit special të ShBA-së. Pas kësaj situate të krijuar në veri, të dërguarit special nga ShBA-ja dhe BE-ja do të duhej të urdhëronin përmes mekanizmave të NATO-s largimin e barrikadave nga ana e KFOR-it dhe sipas vlerësimit të kërkonin shtimin e trupave ushtarake të NATO-s dhe të fillojnë procedurat që Kosova menjëherë të kalojë në gjendje të jashtëzakonshme të sigurisë.
Rreziku është i lartë! Ka shumë analogji se Serbia në veri të Kosovës po imiton Moskën, para se ajo ta sulmonte Ukrainën. Nëse atje ka ndodhur pikërisht ky skenar, përkundër paralajmërimeve dhe vërejtjeve kërcënuese të bashkësisë ndërkombëtare nuk ka asnjë garanci që Kosova të mbrohet vetëm nga deklaratat. Diplomati amerikan dhe i BE-së duhet t’i detyrojnë serbët jo vetëm t’i largojnë barrikadat por t’i dorëzojnë kriminelët që organizuan plagosjen e policit kosovar dhe tërë këtë situate luftënxitëse atje. Escobari nuk e fshehu, përkundrazi e elaboroi edhe mënyrën se si do të formohet asociacioni dhe nëse qeveria aktuale nuk e formon deri në prill të vitit 2023 atëherë do të shikohet mundësia alternative për ta kapërcyer këtë pengesë të stisur. Bazuar në këtë deklaratë dhe përgjithësisht bazuar në angazhimin amerikan mundemi lehtë të konstatojmë se: Qeveria e Republikës së Kosovës i ka lëshuar terren Vuçiqit duke i krijuar gjithë arsyeshmërinë për vendosjen e barrikadave dhe nxjerrjen nga administrimi shtetëror të 17 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.
Dua të rikujtojë deklaratat e mëhershme kur zyrtarë amerikanë me zë e figurë i kërkuan Qeverisë së Republikës së Kosovës shtyrjen deri në prill të zbatimit të urdhëresës për targa, kthimin e serbëve në institucione dhe nisjen e bisedimeve për krijimin e asociacionit, kërkesë kjo e serbëve lokalë edhe e Beogradit zyrtar. Si konkluzion, pra, deri sot asnjë nga faktorët diplomatikë ndërkombëtarë nuk e ka mbështetur kundërshtimin e Albinit për formimin e asociacionit.

“Epoka e re”: Projekti franko-gjerman deklarativisht është pranuar nga spektri politik, ndërsa ju po mbani qëndrim skeptik dhe kundër tij! Cilat janë objektivat tuaja dhe a ka qëndrim PDK-ja rrethe këtij dokumenti?
Berisha: Në kohën kur qeveria Hoti ka nënshkruar në Uashington marrëveshjen e mirëkuptimit dhe kur në njërën nga pikat e asaj marrëveshje thuhej se Kosova heq dorë nga lobimi për njohje për një vit, ky pra, Albini e vendosi Hotin në tabelë qitjeje dhe provojë ta njollos duke përdorë ofendime pa asnjë argument. Plani që ju i referoheni nuk parasheh njohjen reciproke, bilës përkundrazi ky versioni i fundit as që e përmend njohjen. Nëse lexohet ashtu siç na është prezantuar, nënkupton se këtë plan e ka shkruar Vuçiqi mbështetur në deklaratat e tij publike se “Serbia asnjëherë në nuk e njeh shtetin e Kosovës”. Varianti i kaluar diferonte nga ky, ngase në atë variant së paku pas dhjetë vitesh Kosovës i lindte e drejta për t’ia kërkuar njohjen Serbisë, kurse varianti i fundit e ka fshirë dhjetëvjeçarin dhe në interpretimin tim e kthen Republikën e Kosovës në “Republikën e tretë”, që juridikisht do të thotë e shndërron Kosovën në “Krahinë jugore të Serbisë”. Aktualisht ky plan i shërben Serbisë për ruajtjen e status quo-s. Mund ta konsiderojnë “si bazë solide për vazhdimin e dialogut”, por ky plan nuk shkon përkrah kërkesës eksplicite të Amerikës për zgjedhjen përfundimtare të çështjes. Ne duhet koordinim me diplomacinë amerikane për ta mbrojtur shtetin e Kosovës prej pazareve me Vuçiqin. Opozita duhet të kërkoi që dialogu të prodhojë zgjidhjen përfundimtare me njohje reciproke.

“Epoka e re”: Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, qeveria ka aplikuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). Cilat janë pritjet tuaja nga këto dy procese?
Berisha: Aplikimi i Qeverisë së Kosovës për në BE është një dëlir politik i neokomunistëve dhe këta e bën aktin sa për të zënë radhën. Sipas zhvillimeve të fundit mendoj se Albin Kurtin do ta përzënë nga “aplikimi i neokominizmit autoritarë” dhe ky akt në ndonjë të ardhme, që për mua është shumë e largët, atyre ka për t’iu shërbyer si retorikë populiste se gjoja ne po bënim diçka për Kosovën. Ajo që është më irrituese është loja e koordinuar e lidershipit vendor për ta injoruar situatën në veri duke e prezantuar si normale (thua se janë të koordinuar drejtpërdrejtë me Beogradin e Vuçiqin, që atje të mbetët gjithçka nën kontroll dhe në binarët e normales).
Në këtë kontekst e shoh edhe ceremoninë patetike të aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE. Ky lajm është vërtetë ngushëllues dhe s’ka asnjë efekt pozitiv, përveç efektit popullist që qeveria do ta përdorë në politikën e brendshme si tentim për t’i bërë një makijazh fytyrës së saj të diskredituar e të dështuar, si në planin ekonomik ku inflacioni shkon mbi 20 për qind, ndërsa erdhi në pushtet me megalomaninë e rritjes ekonomike dy shifrore. Ndërkaq në planin e sigurisë kombëtare 17 për qind e territorit të Republikës së Kosovës për shkak të tërheqjeve të Albinit nga vendimet e paharmonizuara me partnerët ndërkombëtarë, sot administrohet nga kriminelë serbë. Në planin diplomatik ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës për herë të parë është shumë herë më e kritikuar se secila qeveri e Serbisë në të kaluarën.
Për herë të parë, diplomacia botërore tërheq vërejtje për moszbatim të marrëveshjeve të nënshkruara, shqiptarëve të Kosovës, shto kësaj dështimin me vizat, mosnjohja e Kosovës nga asnjë shtet që prej kur neokomunistët qeverisin me Kosovën, etj.! Pra, me të gjitha këto dështime, kjo ceremoni dhe ky aplikim, është sikur puna e fëmijëve të gëzuar nga rënia e dëborës së parë që mbarojnë dordolecin në oborr, e kur të kthehen nga shkolla dordoleci ka shkrirë e në oborr e gjejnë vetëm fshesën, specin e kuq në vend të hundës dhe tenxheren që ia kishin vendosur dordolecit në kokë.
Ndërsa politikisht, efekti i këtij aplikimi do të shpërfaqet kur Serbia dhe Kosova përmes projektit franko – gjerman në kuadër të marrëveshjes finale do të përfshihet integrimi i përbashkët i Serbisë me Kosovën në BE dhe krijimin e asociacionit. Do të thotë se Kosova do të integrohet në BE bashkë me Serbinë, pa detyrimin paraprak të Serbisë për ndryshim të Kushtetutës, ku Kosovën e mbahet si pjesë integrale të saj.
Në leximin skaner që i duhet bërë kësaj vepre, qartazi del se këta janë shndërruar në shërbëtorë të doktrinës së “botës serbe” dhe po fshehin përmes kësaj kërkese rrënimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe krijimin e Republikës së Tretë. PDK-ja ka skepticizëm për arsye se ajo nuk do të ngre drojën te kombi shqiptar dhe të ndikojë në boshatisjen e Kosovës që po ndodh si shkak i gjendjes së mjeruar ekonomike. Pra thjeshtë, Partia Demokratike po mundohet me qenë shpresa e këtyre shqiptarëve që kanë mbetur ende të frymojnë në këtë shtet, edhe për këtë reagimi i PDK-së është diçka më elegant sesa reagimi im.

“Epoka e re”: Z. Berisha, Vuçiqi ka adresuar kërkesë në NATO për kthimin e 1 000 trupave ushtarake jugosllave në Kosovë? Sa është e mundur kjo dhe cilat do të ishin konsekuencat e një veprimi të tillë?
Berisha: Së pari, bota ushtarake e mbledhur në Aleancën e NATO-s nuk njeh asnjë ushtri jugosllave. Së dyti, asnjë serb, asnjë monument kulture, asnjë institucion nuk është pre e veprave të “gjenocidit” kosovar ndaj tyre. Asnjë nga shërbimet e inteligjencës nëpër botë nuk mund të gjejë askund ndonjë organizim shqiptarësh që ka në plan vrasjen apo luftimin e serbëve shtetas të Republikës së Kosovës që jeton në respektim të ligjeve dhe rendit kushtetues e shtetëror. Sa i përket veprimeve të Policisë së Kosovës aty me asnjë logjikë nuk mund të arsyetohen si reprezalje shtetërore ndaj një komuniteti joshqiptar. Serbi i fundit i arrestuar është autori i akteve terroriste kundër institucionit shtetëror të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e edhe sikur të kishte kryer këtë vepër midis Serbisë ai njeri do të duhej të ishte në burg.  Kështu që, kjo kërkesë e Vuçiqit për mua është më shumë prodhim artificial me të cilin do që të arrijë ta shtyjë ose maksimalisht ta shuajë fare kërkesën e faktorit ndërkombëtarë karshi Serbisë për të vendosur sanksione kundër Rusisë. Kurse në planin e brendshëm, ai dëshiron ta kthejë Marrëveshjen e Kumanovës nga marrëveshje e kapitullimit të ushtrisë serbe në një akt të fitores se asaj ushtrie, e cilësuar si gjenocidiale dhe e bombarduar nga civilizimi modern për 78 ditë deri te dita e kapitullimit ushtarak të nënshkruar në Kumanovë më 10/06/99.

“Epoka e re”: Sa është i afërt momenti kur Kosova do të jete pjesë e Partneritetit për Paqe? A do të ishte kjo një hap drejtë integrimit në NATO  dhe një arritje e madhe në fushën e sigurisë?
Berisha: Secili shtet ka rrugën e vet të përparimit. Gjykuar nga historitë e shteteve tjera anëtare të NATO-s ose atyre që pretendojnë të bëhen anëtare të NATO-s duhet të mos nxisim për Kosovën asnjë shpresë mashtrimi. Unë si ushtarak po ju them se jemi ende larg këtij anëtarësimi. Inflacioni 30 për qind, konteksti territorial i pazgjidhur, mosnjohja nga disa shtete të rëndësishme anëtare të NATO-s nuk janë vetëm pengesa teknike. Shqiptarët në Kosovë nuk duhet të deprimohen nga këto që po them derisa ndonjë “patriot” nga pozita drejtuese shtetërore nuk bën që KFOR-i të largohet nga shteti ynë (nuk është e largët dita kur jemi kërcënuar, jo shantazhuar me këso lëvizje). Prandaj unë them se ne duhet të avancojmë të gjitha zhvillimet në shtet e të punojmë intensivisht. Ukraina po i nënshtrohet sulmeve okupatore ruse vetëm pse dëshironte anëtarësimin në NATO. Shtetet skandinave që po presin t’i kalojnë hapat për anëtarësim, janë shembull sesa pak alibi duhet të pengohemi në hapjen e derës në NATO!
Pra, ne duhet zhvilluar kapacitetet ushtarake, sipas planit të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës e të mos i sabotojmë ato. Nëse i përcjellim planifikimet në aspektin ushtarak, Kosova mbetet shtet i pa okupuar nga Serbia. Nëse e avancojmë me prioritet rritjen ekonomike dhe të GDP-së, ne do ta shkurtojmë secilën rrugë të integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës. Thjeshtë dhe kuptueshëm pa zhvillim ekonomik askush mos të sheh ëndrra kolor! Prandaj edhe angazhimi i diplomacisë amerikane konsiston në një strategji të investimeve dhe zhvillimit ekonomik, e cila do t’i shuante përplasjet politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…