Serbia përzë një shtetase ruse për shkak të pikëpamjeve të saj kundër luftës në Ukrainë

05 shkurt 2024 | 08:12

Shtetasja ruse Elena Koposova, e cila prej katër vitesh jeton në Serbi me familjen e saj, tha për Radion Evropa e Lirë (RSE) se më 2 shkurt ajo mori një vendim nga policia që refuzonte kërkesën e saj për qëndrim të përhershëm dhe e urdhëronte të largohej nga Serbia brenda 30 ditësh.

Në vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB), të cilat Shoqëria Demokratike Ruse joqeveritare i ka dorëzuar mediave, thuhet se Koposova paraqet “rrezik të papranueshëm të sigurisë”.

Koposova, e cila është përkthyese letrare, deri më tani kishte leje qëndrimi të përkohshme.

“Kemi paraqitur kërkesa për qëndrim të përhershëm në shtator të vitit 2023, por pas katër muajsh pritje më njoftuan se kërkesa ime u refuzua, leja e qëndrimit u anulua dhe se duhet të largohem nga vendi sepse paraqes rrezik për sigurinë e qytetarë të Serbisë”, tha Koposova për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se ende nuk e di se çfarë është vendosur kur bëhet fjalë për fëmijët dhe burrin e saj.

Shoqëria Demokratike Ruse pretendon se arsyeja e një vendimi të tillë të MPB-së është se, së bashku me 25 rusë të tjerë që jetojnë në Serbi, Koposova nënshkroi një letër të hapur ku bën thirrje për një tubim kundër luftës në Ukrainë dhe diktaturës, i cili u mbajt në Beograd më 6 mars 2022.

Koposova thotë se nuk e di arsyen e një vendimi të tillë, por supozon se po lidhet me një aktivist rus anitrat dhe një nga themeluesit e Shoqërisë Demokratike Ruse, i cili është edhe iniciatori i letrës kundër luftës që ajo mbështeti.

“Është vetëm një hamendje, sigurisht, nuk mund ta pretendoj këtë. Në çdo rast, nuk kam pasur dhe nuk kam pasur kurrë marrëdhënie me të”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo vëren se “nuk mund të mos vinte” nënshkrimin e saj në letrën që bën thirrje për t’i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri dhe Informim nuk iu përgjigjën pyetjes urgjente të RSE-së për arsyet specifike të një vendimi të tillë.

Koposova ka dy javë kohë për të apeluar vendimin e autoriteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët teknik të disa shkollve në Prishtinë nesër do të…