Serbia po dërgon mesazhe kërcënuese për tërë Ballkanin

01 gusht 2019 | 11:50

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Burim Ramadani, ka deklaruar se armatosja e Serbisë nga Rusia përbën rrezik për rajonin e Ballkanit. Ai ka thënë se orientimi i Serbisë – si i vetmi vend i rajonit kah Rusia – përbën diçka serioze për këtë rajon. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” Ramadani ka thënë se e vetmja rrugë që e stabilizon sigurinë dhe paqen në Ballkan është modernizimi i shteteve ballkanike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. “Sigurisht se ky është shqetësim serioz për tërë Ballkanin. E vetmja rrugë që e stabilizon sigurinë dhe paqen në Ballkan është modernizimi i shteteve ballkanike, sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kur të gjitha shtetet e tjera në rajon ose janë anëtarësuar ose janë drejtuar qartësisht kah NATO-ja, është e vetmja Serbia që ka marrë rrugën e kundërt dhe për këtë rrugë të kundërt është duke u krekosur. Pra, ky orientim kah Rusia i Serbisë është diçka serioz për tërë Ballkanin”, ka thënë Ramadani.

Ai ka vlerësuar se zyrtarët e lartë të Serbisë janë kthyer në ushtarë të Putinit në hakmarrjen ndaj NATO-s në Ballkan. “Duket krejtësisht qartë se presidenti autoritar i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, trashaluqi Ivica Daçiq dhe karikatura Aleksandar Vulin janë kthyer në ushtarë të Putinit në hakmarrjen ndaj NATO-s në Ballkan. Sigurisht se kjo paraqet shqetësim për të gjithë rajonin, sepse ishin po këta udhëheqës në Beograd që para 20 vjetësh i shërbenin Millosheviqit në veprimet shtetërore gjenocidiale kundër Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës”, është shprehur ai.

Zëvendësministri Ramadani ka treguar se cila duhet të jetë përgjigjja e vendeve të tjera të rajonit ndaj armatosjes së Serbisë. “Shtetet properëndimore të Ballkanit duhet ta thellojnë përkushtimin ndaj demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal. Nuk duhet të luhaten në asnjë formë në reformat demokratike të brendshme, bashkëpunimin biletaral dhe rajonal, modernizimin e institucioneve të sigurisë, sikurse edhe thellimin e partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në”, ka thënë ai. Zëvendësministri i Mbrojtjes ka folur edhe për tranzicionin e FSK-së, duke theksuar se çdo gjë është duke shkuar sipas planit. “Ky proces edhe do të vazhdojë, edhe do të përmbyllet suksesshëm, sepse themeli është i mirë, plani është i qartë, përkushtimi është stabil”, është shprehur Ramadani

 “Epoka e re”: Z. Ramadani, kemi parë që së fundi Serbia ka marrë disa mjete ushtarake nga Rusia si donacion. Çfarë do të thotë për sigurinë e rajonit?
Ramadani: Serbia po dërgon mesazhe kërcënuese për tërë Ballkanin. Kjo që po shohim gjatë këtyre viteve të fundit është një ofensivë diplomatike e Serbisë për t’u armatosur me pajisje ruse të standardeve që nuk janë të ndërveprueshme as me NATO-n dhe as me vendet në rajon. Rrjedhimisht, kjo nënkupton se Serbia po e forcon ndërveprueshmërinë e vet ushtarake vetëm me Rusinë. Si e tillë, ky është orientim kundërshtues me tërë rajonin. Është vendim i regjimit autokratik të Serbisë që të mos bashkëpunojë me shtetet në rajon, sepse bashkëpunimi ndërlidhet drejtpërdrejt edhe me standardet e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit. Sigurisht se ky është shqetësim serioz për tërë Ballkanin. E vetmja rrugë që e stabilizon sigurinë dhe paqen në Ballkan është modernizimi i shteteve ballkanike, sidomos në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Kur të gjitha shtetet e tjera në rajon ose janë anëtarësuar ose janë drejtuar qartësisht kah NATO-ja, është e vetmja Serbia që ka marrë rrugën e kundërt dhe për këtë rrugë të kundërt është duke u krekosur. Pra, ky orientim kah Rusia i Serbisë është diçka serioz për tërë Ballkanin.

 “Epoka e re”: A mund të vlerësohet kjo si një kundërpërgjigje e Rusisë ndaj NATO-s, e cila synon që e gjithë rajonin ta integrojë në këtë organizatë?
Ramadani: Zgjerimi i NATO-s në Ballkan nënkupton edhe zgjerim të demokracisë, qeverisjes demokratike dhe thellim të partneriteteve. Sigurisht se kjo kundërshtohet hapur dhe fuqishëm nga Rusia, e cila edhe më tutje po vazhdon hapat e kundërt me demokracinë. Përballja e Rusisë me NATO-n tashmë po thellohet në Ballkan përmes Serbisë. Duket krejtësisht qartë se presidenti autoritar i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, trashaluqi Ivica Daçiq dhe karikatura Aleksandar Vulin janë kthyer në ushtarë të Putinit në hakmarrjen ndaj NATO-s në Ballkan. Sigurisht se kjo paraqet shqetësim për të gjithë rajonin, sepse ishin po këta udhëheqës në Beograd që para 20 vjetësh i shërbenin Millosheviqit në veprimet shtetërore gjenocidiale kundër Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

 “Epoka e re”: Cila duhet të jetë përgjigjja e vendeve të Ballkanit dhe aleatëve perëndimorë, në mënyrë që këto provokime të mos ndikojnë në sigurinë e rajonit?
Ramadani: Shtetet pro perëndimore të Ballkanit duhet ta thellojnë përkushtimin ndaj demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal. Nuk duhet të luhaten në asnjë formë në reformat demokratike të brendshme, bashkëpunimin biletaral dhe rajonal, modernizimin e institucioneve të sigurisë, sikurse edhe thellimin e partneritetit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Kjo është forma e vetme që mundëson stabilitet, siguri dhe paqe në Ballkan. Prania e ShBA-së, NATO-s dhe BE-së në rajonin tonë vazhdon të jetë çelësi i mirëmbajtjes së sigurisë dhe paqes. Lëkundjet në orientim properëndimor gjithnjë do të shkaktojnë vështirësi në rrugën përpara të rajonit. Prandaj, vendosmëria në zbatimin e vizionit properëndimor është rruga e vetme.

“Epoka e re”: Z. Ramadani, si po shkon zbatimi i tranzicionit të FSK-së?
Ramadani: Tranzicioni i FSK-së është proces që ka filluar me hyrjen në fuqi të ligjeve të reja dhe, si i tillë, është në rrugë të sigurt. E kemi thënë vazhdimisht se tranzicioni është një proces dhjetëvjeçar, i cili është i koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës. Asgjë nuk ka qenë dhe nuk është e atypëratyshme. Të gjitha detajet e planifikuara mbesin udhërrëfyese për tranzicionin, zhvillimin dhe modernizimin e Forcës sonë. Ky proces edhe do të vazhdojë, edhe do të përmbyllet suksesshëm, sepse themeli është i mirë, plani është i qartë, përkushtimi është stabil.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar qeverinë për këtë çështje duke thënë se ka ngecur plani i tranizicionit të FSK-së. Sa qëndrojnë këto kritika?
Ramadani: Asnjëherë nuk është e tepërt ta shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjitha partitë politike që kanë mbështetur pa hezitim miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës, më 14 dhjetor 2018. Ne kemi pasur mbështetje të plotë dhe, si e tillë, kjo na ka lehtësuar punën në përmbylljen me sukses të përpjekjeve serioze për mandatimin ushtarak të FSK-së. Normalisht, shpresoj se ky unitet politik e qytetar për organizatën tonë ushtarake do të vazhdojë të ekzistojë gjithmonë. Edhe atëherë kur mund të ketë kritika, ato besoj se duhet të jenë të matura dhe me qëllim të përforcimit të ushtrisë sonë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në vendet demokratike, mbështetja për fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake është vazhdimisht përtej politikave ditore të subjekteve politike.

 “Epoka e re”: Pas dorëheqjes së kryeministrit vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. A mund të kenë ndonjë ndikim zgjedhjet e reja në tranzicionin e FSK-së?
Ramadani: Procesi i tranzicionit të FSK-së është afatgjatë. Edhe disa palë zgjedhje mund të ndodhin në ndërkohë, qoftë të parakohshme apo të rregullta. Prandaj, ky është një argument që e qartëson faktin që tranzicioni, zhvillimi dhe modernizimi i FSK-së, e ka rrugën e vet të ndarë nga proceset e tjera në Kosovë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e Ditës Nacionale të Zvicrës, kryeministri në dorëheqje…