
Serbia refuzon hapjen e vendkalimit Miratoc-Llojan
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka refuzuar kërkesën e komunës së Preshevës për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në Miratoc, në vijën kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Kërkesa, e paraqitur më 19 maj 2025, ka marrë përgjigje negative më 29 korrik, me arsyetimin se rruga që të çon në pikën kufitare kalon përmes fshatit Miratoc dhe mungojnë kushtet infrastrukturore për kontrollin kufitar.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka kundërshtuar këtë arsyetim, duke e quajtur të pabazë dhe të papranueshëm.
Ajo ka theksuar se në rajon ekzistojnë vendkalime të ngjashme që kalojnë përmes zonave të banuara, përfshirë vendkalimin “Dheu i Bardhë” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që ndodhet në fshatrat Lluçan dhe Konçul dhe funksionon normalisht pavarësisht trafikut të mjeteve të rënda.
Sipas Sinanit, kjo përgjigje tregon qartë se nuk bëhet fjalë për ndonjë pengesë teknike, por për mungesë të vullnetit politik nga autoritetet serbe. Ajo shtoi se në takimet e mëparshme me Trupin Koordinues dhe Ministrinë për Administratë Lokale, ishte pretenduar se vonesat shkaktoheshin nga pala maqedonase, ndërkohë që tani vetë autoritetet serbe pranojnë se pengesat burojnë nga Beogradi.
“Hapja e vendkalimit Miratoc-Llojan është thelbësore për lëvizjen e lirë të qytetarëve, nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo është një e drejtë që nuk mund të injorohet”, ka thënë i Sinani, duke shtuar se institucionet lokale do të vazhdojnë përpjekjet për të realizuar këtë kërkesë të kahmotshme të banorëve të rajonit.