Sermaxhaj: Kosova kualifikohet në ‘Euro 2020’

18 nëntor 20:10

Paraqitjet e Kosovës i ka komentuar edhe analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxha. Ky ka thënë për gazetë se “Dardanët” kanë bërë paraqitje të dinjitetshme përgjatë kualifikimeve, kurse është i bindur se do të kualifikohen në Kampionatin Evropian nëpërmjet Ligës së Kombeve.

“Kosova bëri paraqitje të dinjitetshme si vendëse, por edhe si mysafire, duke u treguar të gjithëve se për vetëm pak vite kemi arritur të krijojmë një përfaqësuese shumë të fuqishme me lojtarë të rinj e mjaft cilësorë. Në dy ndeshjet e fundit ndaj Çekisë dhe Anglisë nuk kemi bërë lojë të mirë e as nuk kemi arritur rezultat pozitiv, por shpresoj të jemi të vetëdijesuar dhe mos të bëjmë gabime për ndeshjet e marsit në Ligën e Kombeve, ku kemi mundësinë e fundit dhe shumë të mirë që edhe ne ta kapim trenin e fundit për Evropian”, ka thënë Sermaxhaj.

“Këto eliminatore ishin mundësi e mirë për promovim të vendit tonë, sidomos mirëpritjen që ua bëmë ndaj anglezëve. Edhe paraqitjet tona ndaj kundërshtarëve të forta si Çekia e Anglia na kanë forcuar e na kanë dhënë përvojë të mirë që ngjarjeve të tjera me rëndësi të dimë si t’u qasemi. Duke parë moshën e lojtarëve dhe cilësinë kemi mundësi të kualifikohemi sepse jemi më të mirë se kundërshtarët që na presin”, ka deklaruar Sermaxhaj.

Ish-reprezentuesi i Kosovës e lavdëroi edhe një herë tjetër përzgjedhësin Bernard Challandes. “Çelësi i këtij suksesi është pa dyshim trajneri Challandes, sepse me përvojën dhe njohuritë që ai ka për lojën e futbollit, ka arritur të nxjerrë maksimumin nga këta lojtarë që ne kemi aktualisht”, ka përfunduar Sermaxhaj.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka takuar presidentin e Asamblesë…