
Shahini: Kurti e filloi mandatin e tij si kryeministër duke bërë opozitë në Shqipëri
Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për votimin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri.
Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se Kurti e ka filluar mandatin e tij qeverisës duke bërë opozitë në Shqipëri.
Shahini është shprehur se bashkëpunimi midis shqiptarëve nënkupton angazhim politik përtej kufijve, por tentimi për opozitarizëm nga Qeveria e Kosovës lë shije të keqe sipas saj.
“Kurti e filloi mandatin e tij si kryeministër i Kosovës duke bërë opozitë në Shqipëri! Nuk dua të keqkuptohem: bashkëpunimi organik mes shqiptarëve patjetër nënkupton edhe angazhimin politik përtej kufijve. Por, tentimi për opozitarizëm nga qeveria e Kosovës në Shqipëri la shije të keqe dhe mori përgjigjen e pritshme dhe të duhur. Megjithatë lajmi më i mirë i këtyre zgjedhjeve është ndëshkimi që votuesit i dhanë LSI-së: partisë pa ideologji politike, që lëvizi herë majtas e herë djathtas, duke i shërbyer interesave të ngushta të udhëheqësit të saj. Votuesit me të drejtë i thanë ‘mjaft’ kësaj lloj politike”, ka shkruar Shahini në llogarinë e vet në “Facebook”.