Shaip Kadriaj: Dega e PDK-së në Zvicër do të funksionojë me autonomi të plotë, njësoj si degët në Kosovë

05 janar 2026 | 10:41

Sekretari i Përgjithshëm i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër, Shaip Kadriaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të rezultateve të votave me post nga mërgata, duke ngritur akuza serioze për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Në një reagim publik, Kadriaj ka deklaruar se me daljen në pah të rezultateve, janë bërë të dukshme edhe, siç i ka quajtur ai, “dallaveret dhe manipulimet” që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor, veçanërisht në momentin kur, sipas tij, PDK-ja kishte nisur të fuqizohej ndjeshëm në skenën politike.

“Kur u pa qartë se PDK po rritej seriozisht, u aktivizua mekanizmi i vjetër i pushtetit: goditje politike, manipulim zgjedhor dhe sabotim i brendshëm”, ka theksuar Kadriaj, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për një ofensivë të koordinuar kundër PDK-së, në të cilën, sipas tij, janë përfshirë edhe individë të caktuar brenda partisë për interesa personale.

Ai ka veçuar rastin e Drenasit si shembullin më flagrant të manipulimit zgjedhor, duke theksuar se LDK-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka marrë 343 vota, ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit kishte vetëm 16 vota. “Kjo nuk është luhatje elektorale, por manipulim i pastër”, ka deklaruar ai, duke e cilësuar këtë situatë si aferë të rëndë që kërkon përgjegjësi institucionale dhe politike.

Sipas Kadriajt, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi kundërshtarët politikë, por edhe mbi mënyrën se si është përfaqësuar PDK-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai ka kërkuar dorëheqjen e përfaqësuesve të PDK-së në KQZ, duke e cilësuar këtë hap si akt minimal të përgjegjësisë morale dhe politike.

Kadriaj ka kritikuar gjithashtu edhe qasjen e PDK Qendrës dhe Komisionit për Mërgatën, duke deklaruar se strukturat e PDK-së në Zvicër janë lënë pas dore dhe janë trajtuar si barrë, e jo si forcë politike dhe organizative. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se rezultatet mund të arrihen pa struktura funksionale, duke theksuar se aktivistët dhe strukturat në Zvicër kanë qenë të organizuara edhe në zgjedhjet e dhjetorit.

“PDK-ja në Zvicër nuk është pronë e askujt. Ne nuk e duam këtë parti për hatër të individëve të përkohshëm, por sepse është parti shtetformuese, parti e sakrificës dhe e liderëve tanë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ka deklaruar Kadriaj.

Në fund të reagimit, ai ka theksuar se Dega e PDK-së në Zvicër do të vazhdojë aktivitetin e saj politik pa u ndalur dhe pa u nënshtruar, duke e bërë të qartë se nga tani e tutje autonomia e plotë e degës është e panegociueshme.

“Mërgata nuk është dekor politik. Mërgata është forcë organizative dhe kërkon respekt, transparencë dhe përgjegjësi”, ka përfunduar Kadriaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër,…