Shala i IKD-së: Vjosa Osmani bën shkelje kushtetuese nëse mandaton Konjufcën pa u siguruar se janë 61 vota

04 nëntor 2025 | 14:15

Gzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), ka reaguar pas nominimit të Glauk Konjufcës për kryeministër

Ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani bën shkelje kushtetuese nëse mandaton Konjufcën pa u siguruar se janë 61 vota.

“Nëse në asnjë rrethanë presidentja nuk bindet se asnjë kandidat nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e qeverisë, ajo duhet të shpallë zgjedhjet brenda 40 ditëve. Nëse presidentja tejkalon të gjithë këta hapa dhe ia jep mandatin një kandidati, atëherë ajo bënë shkelje të Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike”, ka shkruar Shala në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Sa i përket mandatarit të ri për formimin e qeverisë, bazuar në Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, presidentja ka rol aktiv në atë se kush duhet të jetë mandatari i ri për formimin e Qqeverisë së re. Ky rol aktiv nuk nënkupton diskrecion të pakufizuar të Presidentes për emrin e mandatarit të ri.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K0103/14, presidentja duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë së re. Thënë më ndryshe, Presidentja duhet të bindet se mandatari që cakton do të ketë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e qeverisë.

Nuk ka një procedurë formale standarde se si duhet “të bindet” presidentja. “Bindja” mund të nënkuptojë njoftimin e liderëve të partive se kanë arritur koalicion, njoftimin e një kandidati se përpos votave të partisë së tij, ka edhe votat e deputetëve të tjera (duke deponuar dëshmi për këtë) apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime.

Nëse në asnjë rrethanë presidentja nuk bindet se asnjë kandidat nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e qeverisë, ajo duhet të shpallë zgjedhjet brenda 40 ditëve.

Nëse presidentja tejkalon të gjithë këta hapa dhe ia jep mandatin një kandidati, atëherë ajo bënë shkelje të Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike.

Shala of IKD: The Constitutional Court decided that the Law on Public Officials is in principle in accordance with the Constitution - Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Glauk Konjufca është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për të formuar…