Shala i reagon ZPS-së: Jeta ime është në pyetje

26 qershor 2023 | 13:07

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Mbrojtja e Shalës e ka quajtur vetën të dëmtuar nga takimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) me dëshmitarin ekspert, një ditë para dhënies së dëshmisë së tij në sallën e gjyqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, mbrojtja gjendjet para një fakti të kryer, pasi të hënën fillohet me dëshminë e dëshmitarit dhe se ka thënë se mbrojtjes nuk i është dhënë kohë siç duhet për të i shqyrtuar elementet e reja të paraqitura nga eksperti dhe as nuk kanë pasur kohë të marrin udhëzime nga Shala.

“Ka informacione të reja. Disa hollësi të shënuara në këtë të ashtuquajtur shënim, faqja numër 1 e këtij shënimi, pika 4 nga fundi ku flitet për dëmin e shkaktuar nga tre plumba, deri tani eksperti fliste për 2 plumba mbase 3, kemi renditjen kohore të të shtënave me armë, koha që eshtrat janë dëshmuar, koha e lëndimit dhe shkaku i vdekjes diçka shumë e re për ne dhe nëse mund, mbase këtë mund ta trajtojmë me këshillin e ekspertëve tanë. Përputhshmëria se viktima ka qenë i ulur kur është qëlluar me armë, në faqen 16 lidhur me copë hekuri, ky është informacion i ri, pra copëza fisheku është e pamundur të dihet nëse ka mund të ec disa ditë pas lëndimit të shputës së këmbës e që mund të ketë qenë lëndim sipërfaqësor”, ka thënë mbrojtja e Shalës.

Ndërsa prokurorja Gaia Pergolo, ka thënë se nuk ka kufizime që të takohet me ekspertë.

“Diskutime mes palëve thirrëse dhe dëshmitarit si eksperti mund të zhvillohet çdo moment para thirrjes së dëshmitarit, nuk ka kufizime të vendosura mbi ZPS-në që të takohet me ekspertë para fillimit të dëshmisë”, ka thënë Pergolo.

Këtu ka ndërhyrë i Pjetër Shala, i cili ka thënë se nuk është duke e kuptuar se cilat janë ndryshimet e reja,  duke shtuar se ka të drejtë e tij t’i kuptojë ato pasi sipas tij “jeta ime është në pyetje këtu”.

Lidhur me këtë, trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Mappie Veldt-Foglia është konsultuar dhe ka vendosur që seanca e sotme do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga prokuroria dhe me marrjen në pyetje nga mbrojtësi i viktimave nëse ka pyetje nga ai, kurse mbrojtja të vazhdojë me kundra-pyetje në seancën e së nesërmes, pasdite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas…