Shala: Istogu është shumë i motivuar
Kthimi në palestrën e qytetit e ka motivuar edhe më shumë Istogun në prag të finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Ndeshja e parë finale, Istogu – Vushtrria, luhet të premten prej orës 20:00 në palestrën e qytetit në Istog. Tek Istogu presin që palestra të mbushet me shikues.
“Presim që palestra në Istog të jetë plot. Është ndeshje finale, vendoset titulli i kampionit të Kosovës, andaj skuadra është shumë e motivuar për lojë. Kishim rrjetë shumë të mirë të kampionatit, që edhe ishte synimi ynë”, ka thënë trajneri i Istogut, Faruk Shala. Ai nuk ka fshehur respektin për rivalin.
“Vërtetë kam shumë respekt për skuadrën dhe vashat e Vushtrrisë. Ato janë treguar shumë këmbëngulëse. Edhe pse kanë humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale, kanë arritur të kthehen duke zhvilluar edhe vazhdimet në ndeshjen e tretë. Është skuadër që nuk ndalet për 60 minuta. Pres që finalja në Istog të jetë e fortë. Shpresoj që edhe këtë vit të dalim kampionë dhe trofeu i çmueshëm të mbetet në qytetin tonë, tashmë qendër e rëndësishme e hendbollit në vend”, ka shtuar Shala.