MTI-ja ofron partneritet për adresimin e sfidave të sektorit privat

11 tetor 2018 | 14:15

Komuniteti i biznesit duhet të përfshihet qysh në fazat e hershme të procesit të hartimit të legjislacionit që ka ndikim në sektor privat, në mënyrë që të sigurohet që legjislacioni është në përputhje me nevojat e industrisë dhe nxit zhvillimin ekonomik në vend.

Ky ishte konkludimi kryesor i tryezës së Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bizneset patën mundësinë të diskutojnë të enjten me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala.

Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i ka uruar mirëseardhje ministrit të ri, duke potencuar që kjo ministri është e një rëndësie tejet të veçantë për të gjitha bizneset në vend, marrë parasysh numrin e madh të fushave të cilat i mbulon, nisur nga konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit, e deri tek pronësia industriale.

Ai ka shprehur gatishmërinë e Odës Amerikane për të dhënë kontributin e saj në të gjitha fushat me ndikim në mjedisin afarist në vend.

Ilir Ibrahimi, president i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, ka theksuar rëndësinë e pasjes së një dialogu të mirëfilltë dhe konstruktiv mes sektorit privat dhe atij publik, si e vetmja mënyrë për të garantuar rritjen e sektorit privat në vend. Në këtë drejtim, Ibrahimi ka sqaruar se Oda Amerikane përfaqëson biznese që vijnë nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke rezultuar gjithnjë në kërkesa të balancuara dhe të arsyeshme drejtuar institucioneve.

Ndërkaq ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka folur në pika të shkurta për disa nga prioritetet e ministrisë që ndërlidhen drejtpërdrejtë me sektorin privat në vend, duke potencuar se Odën Amerikane e sheh si partner shumë konstruktiv. Në mesin e iniciativave të ministrisë, Shala ka thënë se rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet rregullimit të tregut të naftës, si dhe iniciativave për mbrojtjen e konsumatorit.

Po ashtu, ai ka bërë me dije se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë mundësinë që të adresojë sfidat në marrëdhëniet tregtare me homologun e tij në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që t’i hapet rruga rritjes së tregtisë dhe bashkëpunimit mes dyja vendeve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nexhat Dumnica nuk është më kryetar i KF Llapi, pasi…