Shala: Qeveria Haradinaj ka shuar “zjarret” e qeverisë së kaluar

19 dhjetor 2017 | 18:00

Analisti politik Behxhet Shala ka bërë me dije se kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka mundur të bëjë më tepër sesa që ka bërë për 100 ditë të qeverisjes.

Ai ka thënë se në rrethanat në të cilat është krijuar kjo qeveri, kryeministri ka bërë atë që ka qenë brenda mundësive të tij. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka thënë se Haradinaj ka tentuar të bëjë më tepër, por problemet e trashëguara nga qeveria e kaluar e kanë penguar.

“Qeveria Haradinaj nuk ka mundur të bëjë asgjë më tepër gjatë kësaj periudhe kohore. Njëqind ditë janë pak për të dhënë një vlerësim objektiv për një qeveri edhe në vendet më të zhvilluara. Pra, është kohë e shkurtër për të folur për gjërat që janë arritur, apo për ato që nuk janë arritur. Haradinaj ka trashëguar një qeveri e cila ka rënë dhe ka lënë shumë probleme. Kështu që, ka qenë bukur vështirë të bëhet më shumë punë”, ka thënë Haradianj.

Ai e ka kritikuar kryeministrin për disa vendime dhe e ka lavdëruar për disa të tjera. Sipas Shalës, gabimi më i madh i kësaj qeverie gjatë kësaj periudhe ishte falja e borxheve ndaj kompanive të ujit.

“Kjo nuk ka qenë në rregull sepse, nëse fillojmë me falje të borxheve, më mirë është t’ua falim borxhet qytetarëve, të cilët nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë sesa t’u falen borxhet kompanive të cilat kanë fituar miliona euro nga biznesi. Qëllimi i një biznesi është të fitojë dhe, kur dëshiron të fitosh, atëherë duhet t’i kryesh edhe obligimet ndaj shtetit, duke paguar taksat që janë të përcaktuara me ligj”, është shprehur Shala.

Ndërsa si suksese të Haradinajt, Shala ka renditur miratimin e Projektligjit për Prishtinën në qeveri. “Si sukses i qeverisë Haradinaj mund të llogaritet miratimi i Projektligjit për Prishtinën, që nuk e ka bërë asnjë qeveri e mëparshme, sikurse edhe fillimi i kompensimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, gjë që nuk e ka bërë asnjë qeveri. Po ashtu, kësaj qeverie, si përparësi, në raport me qeveritë e mëparshme, mund t’ia përmendim se ka një qëndrim më të fortë sa iu përket bisedimeve me Serbinë, duke e kushtëzuar edhe në afatin kohor, edhe në atë përmbajtjesor”, ka thënë ai.

Sa i përket demarkacionit, Shala ka thënë se pritjet e tij janë që versioni aktual i kësaj marrëveshje të bjerë në Kuvend, ngaqë nuk i ka votat e nevojshme.

“Epoka e re”: Z. Shala, jemi në vigjilje të 100-ditëshit të qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj. Cili është vlerësimi juaj për këtë periudhë të punës?
Shala: Qeveria Haradinaj nuk ka mundur të bëjë asgjë më tepër gjatë kësaj periudhe kohore. Njëqind ditë janë pak për të dhënë një vlerësim objektiv për një qeveri edhe në vendet më të zhvilluara. Pra, është kohë e shkurtër për të folur për gjërat që janë arritur, apo për ato që nuk janë arritur. Haradinaj ka trashëguar një qeveri e cila ka rënë dhe ka lënë shumë probleme. Kështu që, ka qenë bukur vështirë të bëhet më shumë punë. Mendoj se ka përpjekje për të bërë më tepër, por konstelacioni politik në kuadër të të cilit është formuar kjo qeveri ka probleme të theksuar dhe kjo ka reflektuar.

“Epoka e re”: Brenda kësaj periudhe kohore Haradinaj është përballur me disa sfida, si rasti i Rikallos apo rasti i shpërnguljes së banorëve të Hadës dhe të Shipitullës. Mendoni se i ka menaxhuar si duhet këto sfida?
Shala: Rasti Rikallo as që ka ekzistuar. Ky rast ka qenë një sajesë politike nga të gjitha subjektet politike opozitare, të cilat kanë dashur që këtë rast t’ia vendosin si ndërskamcë Haradinajt. Institucionet kompetente treguan se, për dyshimet e shprehura ndaj Rikallos, nuk kishte asnjë dëshmi. Pra, ky rast i është vendosur Haradinajt si bombë e cila është pritur të shpërthejë, por ajo u anashkalua. Ndërsa rasti i banorëve të Shipitullës tregon se është instaluar një dukuri e keqe në Kosovë, ku në çdo vend që pritet të kalojë një rrugë, të ndërtohet diçka apo të ndodhë diçka që është e rëndësisë strategjike, atëherë banorët e atij lokaliteti mundohen të bëjnë ndërtime që të përfitojmë sa më shumë. Aty janë ndërtuar shtëpi të reja, në të cilat kurrë askush nuk ka banuar. Ajo që di është se qeveria për Shipitullën dhe Hadën ka dhënë një ofertë shumë më të mirë se ajo realja. Mendoj se këtë rast qeveria Haradinaj nuk e ka krijuar vetë, por e ka trashëguar nga qeveria e mëparshme. Pra, kjo qeveri është marrë më shumë me shuarjen e zjarreve sesa me zgjidhjen e një problemi real.

“Epoka e re”: Kryeministri Haradinaj është kritikuar për falje të borxheve të kompanive të ujit. Ka qenë gabim një vendim i tillë?
Shala: Kjo nuk ka qenë në rregull sepse, nëse fillojmë me falje të borxheve, më mirë është t’ua falim borxhet qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë sesa t’u falen borxhet kompanive të cilat kanë fituar miliona euro nga ai biznes. Qëllimi i një biznesi është të fitojë dhe, kur dëshiron të fitosh, atëherë duhet t’i kryesh edhe obligimet ndaj shtetit, duke paguar taksat që janë të përcaktuara me ligj.

“Epoka e re”: Po ashtu, qeveria Haradinaj është kritikuar edhe për numrin e madh të zëvendësministrave dhe për numrin e vogël të projektligjeve që janë miratuar në Kuvend. Kanë qenë reale këto kritika?
Shala: As qeveria paraprake nuk mund të lavdërohet se ka miratuar ligjet të cilat i ka dërguar në Kuvend. E keni parë se gjatë asaj kohe Kuvendi ka qenë më tepër arenë gladiatorësh në mes të pozitës dhe opozitës sesa që ka qenë një vend ku të zgjedhurit e popullit kanë diskutuar për miratimin e ligjeve. Është e papranueshme dhe e pamoralshme të marrin rroga nga 2-3 mijë euro, ndërsa tërë kohën e shpenzojnë duke bllokuar qeverinë dhe Kuvendin. Detyra e deputetëve është të miratojnë ligje dhe të merren me problemet e qytetarëve që i përfaqësojnë, e jo ta shndërrojnë Kuvendin në fushëbetejë, duke përdorur fjalor sikur me qenë rrugaçë.

“Epoka e re”: Po si suksese të qeverisë gjatë kësaj periudhe, çfarë do të përmendni?
Shala: Si sukses i qeverisë Haradinaj mund të llogaritet miratimi i Projektligjit për Prishtinën, gjë që nuk e ka bërë asnjë qeveri e mëparshme, sikurse edhe fillimi i kompensimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, gjë që nuk e ka bërë asnjë qeveri. Po ashtu, kësaj qeverie, si përparësi, në raport me qeveritë e mëparshme, mund t’ia përmendim se ka një qëndrim më të fortë sa iu përket bisedimeve me Serbinë, duke e kushtëzuar edhe në afatin kohor edhe në atë përmbajtjesor.

“Epoka e re”: Duke u bazuar në punën që është bërë gjatë kësaj periudhe, sa ka dhënë shpresë kjo qeveri që gjatë mandatit në vazhdim do të bëjë më shumë?
Shala: Kjo qeveri e ka pak problem, sepse mbështetet në vetëm 61 vota. Duke u bazuar në këtë, vazhdimisht kjo qeveri kërcënohet nga deputetë të ndryshëm, se mund të përballet me mocionin e votëbesimit. Pra, kur jeni vazhdimisht nën këtë kërcënim, është problem të vini deri te një zgjidhje e arsyeshme. Nuk ka nisma nga askush që proceset të shkojnë përpara në interes të qytetarëve të Kosovës. Gjithçka në Kuvend shihet në prizmin e interesit personal ose të atij partiak, duke e përdorur shantazhin e rrëzimit të qeverisë si mjet për realizmin e këtij qëllimi. Mendoj se kjo është e pandershme dhe shumë e ulët. Qeveria duhet të gjykohet për mospunë dhe opozita e ka rolin korrigjues ndaj pushtetit. Por, opozita duhet ta ketë një rol konstruktiv dhe lehtësues për disa procese që janë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kur e kemi një subjekt politik brenda qeverisë siç është Lista Serbe, është problem të çohen të gjitha proceset përpara. Në këto rrethana jo vetëm Haradinaj, por çdokush tjetër do të kishte problem t’i çonte përpara proceset.

“Epoka e re”: Sfida kryesore me të cilët pritet të përballet kjo qeveri është çështja e demarkacionit. Çfarë pritni të ndodhë me këtë çështje?
Shala: Demarkacionin është duke e shtyrë kryesisht opozita, në radhë të parë Lëvizja Vetëvendosje, por tash edhe LDK-ja. Unë nuk jam ekspert për kufij dhe nuk mund të jap mendim profesional për këtë çështje, ndonëse kam brengat e mia rreth demarkacionit. Në çdo proces kur shqiptarët kanë diskutuar për kufij ne kemi humbur territore. Mendoj se demarkacioni me Malin e Zi nuk mund të kalojë në këtë konstelacion forcash. LV-ja tashmë është përçarë dhe do të jetë shumë interesant pozicionimi i deputetëve që llogariten si krahu kundër Albin Kurtit. Mirëpo edhe nëse eventualisht demarkacioni kalon, nuk besoj se do të kemi liberalizim të vizave. Unë nuk pres që pas kësaj qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në BE, sepse mendoj se më i rëndësishëm se demarkacioni është luftimi i korrupsionit. Këtu BE-ja mund të thotë se keni punuar mirë, por ende nuk i keni plotësuar kushtet e kërkuara. Kosova tani ka hyrë në rrugë njëkahëshe, ku në fund BE-ja ia ka mbyllur të gjitha dyert. Kjo besoj se është e pandershme, sepse BE-ja ka pasur përgjegjësinë kryesore këtu që ta luftojë korrupsionin në të gjitha rastet, ndërsa ne ende nuk e kemi plotësuar këtë kriter.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Industria në ngritje e luleve në Etiopi ka hedhur sytë…