SHBA dhe Ukraina bien dakord për një kornizë të re paqeje, Evropa paraqet plan alternativ

24 nëntor 2025 | 07:56

SHBA-ja dhe Ukraina njoftuan se kanë arritur dakordësi një “kornizë paqeje të përditësuar dhe të rafinuar” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Lajmi vjen pak orë pasi disa vende evropiane publikuan një propozim alternativ, i cili hoqi disa prej pikave pro-ruse që përmbante plani origjinal amerikan i publikuar javën e kaluar.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, doli optimist nga një takim në Zvicër me delegacionin ukrainas të udhëhequr nga Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit Volodymyr Zelensky.

Në një deklaratë të përbashkët, Uashingtoni dhe Kievi theksuan se çdo marrëveshje përfundimtare do të “mbështesë plotësisht sovranitetin e Ukrainës”.

Dokumenti origjinal prej 28 pikësh i SHBA-së përfshinte disa propozime shumë të debatueshme, mes tyre dorëzimin e territoreve të caktuara Rusisë, kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase, si dhe mosndjekjen penale të Moskës për krime të dyshuara lufte. Këto pika shkaktuan reagime të ashpra në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane.

Ndërsa nisën bisedimet në Gjenevë, presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Ukrainën, duke thënë se kishte treguar “zero mirënjohje” për përpjekjet amerikane. Zelensky reagoi me ton pajtues, duke falënderuar SHBA-në për ndihmën ushtarake, veçanërisht për raketat Javelin. Retorika e ashpër e Trump erdhi pas një fundjave të paqartë, në të cilën Rubio fillimisht pranoi se plani ishte konceptuar në Moskë, por më pas këmbënguli se ishte një dokument i hartuar nga SHBA-të.

Aleatët evropianë të Ukrainës publikuan planin e tyre, i cili parashikon: negocim të çështjeve territoriale vetëm pas një armëpushimi, vijën aktuale të frontit si pikënisje për bisedime, monitorim të armëpushimit “nën mbikëqyrjen e SHBA-së”, asnjë kërkesë që Ukraina të tërhiqet nga qytetet që kontrollon, asnjë ndalim të mundshëm për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dorëzimin e kontrollit të centralit bërthamor të Zaporizhzhias tek IAEA, me administrim të përbashkët Moska–Kiev, një ushtri ukrainase më të madhe se ajo e parashikuar nga drafti amerikan (deri në +200,000 trupa), përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës, lehtësim gradual të sanksioneve ndaj Rusisë nëse ajo respekton një “paqje të qëndrueshme”, si dhe rikthimin e mundshëm të Rusisë në G8.

Liderët e G20 sinjalizuan se plani i Shtëpisë së Bardhë kishte nevojë për “punë shtesë”.

Sipas raporteve, dokumenti dyshohet se është hartuar fillimisht nga Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit, në bashkëpunim me emisarin special të Trumpit, Steve Ëitkoff. Disa senatorë amerikanë thanë se Rubio u kishte pohuar se teksti ishte russ, një dokument i rrjedhur nga Moska, i cili më pas iu kalua Ukrainës nga SHBA-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Kajro për bisedime,…