ShBA-ja dhe Armenia nisin stërvitjet e përbashkëta ushtarake

11 shtator 2023 | 16:00

Armenia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake që kanë zemëruar Moskën. Stërvitjet po mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Jerevanit dhe Azerbajxhanit fqinj lidhur me rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Ministria e Mbrojtjes së Armenisë tha se stërvitjet e quajtura “Eagle Partner 2023” nisën më 11 shtator me qëllim të përgatitjes së forcave armene për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse ndërkombëtare.

Kolonel Martin O’Donnell, zëdhënës i komandës amerikane, tha se stërvitjet “janë një mundësi vitale për ushtarët nga të dyja shtetet që të ndërtojnë një raport të ri në nivelin taktik dhe të rrisin ndërveprimin për operacionet paqeruajtëse”.

Stërvitjet po mbahen në Zar dhe në Armavir afër Jerevanit dhe do të përfundojnë më 20 shtator. Ushtria amerikane tha se 85 ushtarë të saj dhe 175 armenë po marrin pjesë në stërvitje. Ushtria e SHBA-së tha po ashtu se në stërvitje janë përfshirë edhe armët e rënda.

Rusia, që udhëheq Organizatën së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) ku bën pjesë edhe Armenia, ka shprehur shqetësime lidhur me stërvitjet e përbashkëta që po mbahen në kohën kur raportet mes Moskës dhe Jerevanit kanë shfaqur shenja të dobësimit.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 10 shtator shprehu keqardhje lidhur me “veprimet e udhëheqjes armene” duke thënë se nuk pret “asgjë të mirë” nga stërvitjet e përbashkëta, ndërkaq zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia “do të monitorojë situatën”.

Më 8 shtator, Ministria e Jashtme ruse ftoi në takim ambasadorin armen për të protestuar “hapat jomiqësorë” të ndërmarra nga Jerevani, përfshirë edhe stërvitjet ushtarake.

Në Jerevan, ndërkaq, kryeministri Nikol Pashinian akuzoi Rusinë se ka dështuar të mbrojë Armeninë lidhur me atë që ai e cilësoi si agresion të vazhdueshëm nga Azerbajxhani.

Rusia ka forca paqeruajtëse në rajon, që mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes që i dha fund luftës që Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan më 2020 – lufta e dytë që këto dy shtete kanë zhvilluar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Por, Jerevani ka akuzuar forcat paqeruajtëse ruse se po dështojnë të mbrojnë armenët në Nagorno-Karabak, një enklavë që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por që është e banuar nga afër 120.000 armenë etnikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grafit ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”…