ShBA-ja dhe Britania kërcënojnë me sanksione direkte Putinin

26 janar 2022 | 11:38

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë paralajmëruar se nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Ne do të sjellim legjislacion të ri, që regjimi ynë i sanksioneve të bëhet më i ashpër, në mënyrë që të jemi në gjendje të shënjestrojmë më shumë kompani dhe individë në Rusi. Ne do ta prezantojmë këtë legjislacion në ditët e ardhshme”, tha sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

E pyetur për mundësinë e sanksionimit të Putinit, Truss i tha Sky News se “ne nuk e përjashtojmë asnjë mundësi”. Komentet e sekretares Truss janë të ngjashme me ato që presidenti amerikan, Joe Biden bëri më 25 janar. Biden tha se ai do ta shqyrtonte mundësinë e sanksioneve ndaj Putinit në rast të pushtimit të Ukrainës. Ky ishte një kërcënim i rrallë që erdhi në kohën kur SHBA-ja po dërgon pajisje ushtarake në Kiev dhe liderët perëndimorë po ndërmarrin hapa që synojnë të pengojnë një pushtim të mundshëm rus.

Truss po ashtu tha se Britania po furnizonte Ukrainën me armë mbrojtëse.

Presidenti Biden u tha gazetarëve më 25 janar se nëse Rusia lëvizë në Ukrainë, ku besohet se në kufi me këtë shtet ka vendosur mbi 100,000 trupa, do të ishte “pushtimi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore” dhe se një gjë e tillë “do ta ndryshonte botën”.

I pyetur nëse ai mund të sanksionojë drejtpërdrejtë Putinin, në përgjigje të një pushtimi të mundshëm, Biden tha “po, e shoh si mundësi”.

Presidenti Biden më 24 janar është konsultuar me liderët evropianë lidhur me tensionet e shkaktuara pas grumbullimit të ushtrisë ruse, dhe Pentagoni ka njoftuar se do të vendosë në “gatishmëri të lartë” 8,500 trupa amerikane, me mundësi të dislokimit për të forcuar prezencën e NATO-s në rajon.

Biden tha se nuk ka “asnjë qëllim” që të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë, por ai paralajmëroi Rusinë për sanksione të ashpra, nëse Moska urdhëron ndonjë sulm.

Aleanca ushtarake e NATO-s ka rreth 4,000 trupa në batalionet shumëkombëshe në Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni. Këto trupa mbështeten me tanke, mbrojtje ajrore dhe njësitë e inteligjencës dhe vëzhgimit.

Pajisje shtesë, përfshirë edhe raketa anti-tank Javelin, raketahedhës dhe pajisje të tjera ushtarake, arritën në Kiev më 25 janar. Kjo ishte dërgesa e tretë e pakos prej 200 milionë dollarësh ndihmë, që Uashingtoni ka ndarë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.

“Javelinët në Kiev. Një dërgesë e re e ndihmës së sigurisë – raketahedhës dhe raketa, me një sasi totale prej rreth 80 tonësh. Ne presim që të arrijë edhe dërgesa e katërt”, tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, që shtoi se e falënderon për këtë ndihmë “partnerin tonë strategjik”./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e ka miratuar Projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe…