ShBA-ja mbështet anulimin e ligjeve anti-Dejton: Sulmi ndaj marrëveshjes së paqes vjen me pasoja

02 korrik 2023 | 14:53

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e mbështesin përdorimin e fuqive të Bonit për të ruajtur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit (1995) dhe Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, ka njoftuar Departamenti i Shtetit nëpërmjet një cicërime në llogarinë zyrtare në “Twitter”.

Ky reagim vjen pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, i cili anuloi dy ligje anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska – entiti serb në Bosnje dhe Hercegovinë – në bazë të kompetencave të Bonit për anulimin ose ndryshimin e ligjeve.

“Ne do t’i bëjmë përgjegjës për veprimet e tyre individët që përfshihen në aktivitete që nuk janë në përputhje me marrëveshjen e paqes të Dejtonit”, ka shkruar Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shpërndarë deklaratën e plotë të diplomacisë amerikane.

“Sulmi ndaj Dejtonit vjen me pasoja. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fuqimisht përdorimin e fuqive të Bonit nga përfaqësuesi i lartë për të mbrojtur marrëveshjen e paqes të Dejtonit dhe për të mbrojtur Gjykatën Kushtetuese, e cila është rojtare e shtetit të së drejtës në Bosnje dhe Herzegovinë”.

Schmidt, më 1 korrik, ka ndaluar çdo proces në lidhje me ligjet e asamblesë së entitetit serb për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska, shkruan “AP”.

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Milorad Dodik, cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, prej vitesh mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për t’u bërë pjesë e Serbisë. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.

Autoritetet e Republikës Srpska refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore. Dodik haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cesar Azpilicueta do të jetë pjesë e Atletico Madrid. Ish-kapiteni…