ShBA-ja miraton përdorimin e vaksinës së kompanisë Moderna

19 dhjetor 13:21

Vaksina kundër koronavirusit e kompanisë Moderna, ka marrë miratimin urgjent për përdorim nga Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA) në Shtetet e Bashkuara.

Miliona doza të vaksinës së kompanisë Moderna pritet të nisin të administrohen në ShBA, ku gjatë kësaj jave pritet që atë ta marrin punëtorët shëndetësorë.

Po ashtu, personat e moshuar në shtëpitë e kujdesit do të jenë po ashtu ndër të parët që do ta marrin vaksinën.

Vendimi i FDA-së për miratimin e vaksinës së Modernas, vjen pasi një javë më parë u miratua për përdorim edhe vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNTech.

Vaksina e Pfizer dhe BioNTech është prodhuar me teknologji të ngjashme sikurse ajo e Modernas. Vaksinimi me vaksinën e Moderas pritet të nisë ditët e ardhshme dhe atë do ta marrin personat mbi 18 vjeç.

“Me dy vaksina kundër COVID-19, FDA ka ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në luftën kundër kësaj pandemie, që po shkakton numër të madh të viktimave në ShBA çdo ditë”, tha komisioneri i FDA-së, Stephen M.Hahn.

Vaksina e Modernas pritet të dërgohet edhe nëpër spitale rurale. Ajo ka nevojë që të transportohet dhe të ruhet në temperatura të ulëta, por nuk kërkon temperatura shumë të ulëta, sikurse vaksina e Pfizerit.

“Është shpresa ime se të gjithë amerikanët do ta mbrojnë veten duke u vaksinuar. Kështu, shteti ynë do të nisë procesin e shërimit dhe të lëvizjes përpara”, deklaroi zyrtari kryesor i ShBA-së për sëmundje ngjitëse, Anthony Fauci.

Moderna tha se do të aplikojë për licencë të plotë në ShBA më 2021.

Vaksina e kompanisë Moderna, sipas studimeve të bëra nga kompania, ka treguar 95 për qind efektivitet ndaj sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Po ashtu, është thënë se kjo vaksinë nuk ka paraqitur shqetësime serioze të sigurisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Donald Trump dhe Zonja e parë Melania Trump po…