ShBA-ja ndalon financimin prej 500 milionë dollarësh për vaksinat mRNA kundër gripit dhe COVID-19

06 gusht 2025 | 08:15

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) ka vendosur të anulojë një fond prej 500 milionë dollarësh të dedikuar për zhvillimin e vaksinave mRNA, që synonin të luftonin viruse si gripi dhe COVID-19.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim do të ndikojë në 22 projekte kërkimore të udhëhequra nga kompani të mëdha farmaceutike, përfshirë Pfizer dhe Moderna, për vaksina kundër gripit të shpendëve dhe viruseve të tjera, raporton BBC.

Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., një figurë e njohur për qëndrimet skeptike ndaj vaksinave, deklaroi se fondet po tërhiqen për shkak të “shqetësimeve serioze” që, sipas tij, lidhen me rrezikshmërinë e teknologjisë mRNA.

“Teknologjia mRNA paraqet më shumë rreziqe sesa përfitime në luftën ndaj infeksioneve respiratore si COVID dhe gripi”, tha ai.

Por ky vendim ka ngjallur reagime të ashpra nga mjekë dhe ekspertë shëndetësorë, të cilët e kanë kritikuar prej kohësh Kennedy-n për pikëpamjet e tij kundër vaksinave dhe politikat publike shëndetësore.

Në një deklaratë shtesë, Kennedy tha se vendimi është marrë pas “rishikimit të të dhënave shkencore, dëgjimit të ekspertëve dhe analizës së fakteve”. Sipas tij, vaksinat mRNA “nuk ofrojnë mbrojtje të efektshme kundër infeksioneve të sipërme respiratore si COVID-19 dhe gripi” dhe se fondet do të ridrejtohen drejt “platformave më të sigurta dhe më të gjera, që mbeten efektive edhe kur viruset pësojnë mutacione”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet sivjet në…