ShBA-ja ofron 5 milionë dollarë për kokën e pasardhësit të Al Bagdadit

30 tetor 2019 | 15:41

I ashtuquajturi Shteti Islamik (ISIS) apo ajo çfarë mbetet nga shteti islamik në Siri e Irak, ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë mbi vdekjen e liderit të tij Abu Bakr al-Bagdadi, i cili ka hedhur veten në erë gjatë një sulmi nga forcat amerikane në veri të Sirisë të shtunën.

Shumë është duke u përfolur mbi pasardhësin e mundshëm të tij. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në “Twitter” të martën se edhe “zëvendësuesi numër një i Abu Bakr al-Bagdadi është eliminuar nga trupat amerikane”.

Trumpi ka shtuar se “më shumë mundësi do të kishte zënë vendin e parë, por tani edhe ai është i vdekur”.

Një zyrtar amerikan i ka thënë “CNN”: “Presidenti po i referohej zëdhënësit të ISIS, Abu Hasan al-Muhajir”, i cili është përshkruar nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të hënën si “lloji i një numri dy” pas Al Abghdadit.

Ai është vrarë në një pjesë tjetër të Sirisë veriore sesa aty ku vdiq Bagdadi, sipas Forcave Demokratike Siriane.

Por ndërsa al-Muhajir ishte një figurë e rëndësishme në përpjekjen për propagandimin e ISIS-it, disa analistë besojnë se një burrë tjetër, i cili ka të paktën tre pseudonime është pasardhësi i mundshëm i Al Bagdadit.

Disa dokumente të brendshme të ISIS-it i referohen atij si al-Haxh Abdullah, një dijetar religjioz mbi kokën e të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.

Një ekip i “AFP”-së që ka arritur të hynte në një burg në Sirinë veriore, ku forcat kurde mbajnë nën kontroll ish-xhihadistë vendas e të huaj, solli dëshmi të njerëzve që tregonin pendim.

“Dua vetëm të dal nga burgu. Të kthehem pranë familjes sime, kaq dua”, ka thënë Aseel Mathan, i burgosur nga Britania.

Por një ekip i “CNN”-it që ka arritur dhe ai të shohë nga afër gjendjen e disa të burgosurve, ka thënë se një pjesë e madhe e tyre i mbeten besnike organizatës së terrorit dhe sfidues ndaj perëndimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër emigrantë janë mbytur dhe një është zhdukur në një…