ShBA-ja sanksionon dy gjeneralë tjerë të Mianmarit

23 shkurt 2021 | 11:41

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy gjeneralë tjerë të lidhur me puçin ushtarak në Mianamar, të njohur edhe si Birmani, dhe kanë paralajmëruar për veprime të ngjashme kundër secilit që është përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve.

Sanksionet e reja kundër Gjeneralit Maung Maung Kyaw dhe Gjeneral-lejtnantit Moe Myint Tun, ua pamundësojnë atyre hyrjen në ShBA dhe u ngrijnë të gjithë pronat që mund të kenë në territorin e ShBA-së, ka thënë Departamenti amerikan i Thesarit përmes një deklarate.

“Ne nuk do të hezitojmë që të marrim veprime kundër atyre që kryejnë dhunë dhe shtypin vullnetin e njerëzve. Ne nuk do të ndalim mbështetjen për popullin e Birmanisë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes një deklarate të ndarë.

Shtetet e Bashkuara veçse kanë sanksionuar 10 ish-figura të larta të Këshillit Shtetëror Administrativ, përfshirë Gjeneralin Min Aung Hlaing, udhëheqësin e ri të shtetit, dhe tri subjekte tjera të Mianmarit.   Blinken u ka bërë thirrje ushtrisë dhe policisë që të “ndalin të gjitha sulmet ndaj protestuesve paqësorë, të lirojnë menjëherë të gjithë ata që janë ndaluar pa arsye, të ndalin sulmet ndaj gazetarëve dhe të rikthejnë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike”.

Ky njoftim ka ardhur disa orë pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, që janë takuar në Bruksel më 22 shkurt, kanë lëshuar në komunikatë duke thënë se janë të gatshëm të “miratojnë masa më të ashpra”.

Më vonë, shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është cituar të ketë thënë se blloku është pajtuar për sanksione për shkak të puçit, mirëpo nuk ka dhënë hollësi tjera.

Vendet anëtare të BE-së kanë thënë se janë duke konsideruar sanksione që shënjestrojnë bizneset në pronësi të ushtrisë, mirëpo besohet se kanë qenë kundër eliminimit të statusit preferencial të tregtisë me Mianmarin. Edhe shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka folur kundër “forcës brutale”, të përdorur nga ata që janë mbrapa puçit në Mianmar, dhe i ka bërë thirrje ushtrisë që të ndalë shtypjen dhe të lirojë të burgosurit, teksa vazhdojnë protestat në këtë shtet.

Dhjetëra mijëra protestues kundër puçit janë parë në rrugët e Mianmarit më 22 shkurt, pavarësisht kërcënimeve të juntës ushtarake se është duke u përgatitur për forcë vdekjeprurëse për të shtypur protestat.

Këto paralajmërime kanë ardhur pasi tre protestues janë qëlluar për vdekje gjatë fundjavës, dhe ceremonisë së varrimit të një gruaje që ka vdekur nga plagët e plumbit në një marsh ditë më parë./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka…