ShBA-ja sërish me kërkesë për shtyrje të afatit për target

27 tetor 2022 | 23:54

Teksa po afron afati i fundit për nisjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale të Serbisë në Kosovë, kërkesat për shtyrje të këtij afati sa vijnë e shtohen nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.

Në këto orë të vona, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në Twitter, tha se është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat e reja të automjeteve.

“Me rëndësi të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat e reja”, tha Hovenier.

Ai dënoi edhe “veprimet për frikësimin apo hakmarrjen kundër atyre që i kanë ndryshuar targat”.

Edhe Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka kërkuar që të shtyhet vendimi në fjalë, gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar sot me kryeministrin Albin Kurti.

“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam partneritetin tonë dhe qëllimet e përbashkëta drejt avancimit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.

Ndërkaq kryeministri Kurti, në postimin e tij për bisedën me Chollet, nuk ka treguar se është folur për çështjen e targave e as për kërkesën për shtyrje të këtij vendimi.

“Sot fola me dhe falënderova Derek Cholletin për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për integrimin euroatlantik të Kosovës. Siç tregohet në raportin e WJP-së, duke e renditur Kosovën si të parën nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të 2-in më të përmirësuar në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon dorë për dore me paqen, sigurinë dhe demokracinë”, shkroi Kurti.

Vendimi për riregjistrimin e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, me ato RKS, përfundon më 31 tetor, dhe institucionet e vendit nuk kanë dhënë shenja se do të ketë shtyrje të këtij afati.

Kujtojmë se kryeministri Kurti, gjatë vizitës së tij të gjatë në SHBA në muajin prill, e kishte takuar Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet asokohe pati shkruar në Twitter se me Kurtin kanë diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është çelësi për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Po ashtu, këshilltari i departamentit të shtetit, e kishte falënderuar Kurtin për strehimin e refugjatëve afganë.

Për këtë takim pati njoftuar edhe kryeministri Kurti, duke thënë se presin të bashkëpunojnë edhe më tutje me SHBA-në.

Kurti qëndroi në SHBA së bashku me presidenten Vjosa Osmani, si pjesë e funeralit të ish-Sekretarës së shtetit, Madeleine Albright.

Ai kishte thënë se gjatë qëndrimit në SHBA do të takohet me përfaqësues të lartë të shtetit dhe se do të jetë një vizitë e gjatë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici ka pritur në takim ambasadorin…