ShBA-ja synon vazhdimin e marrëveshjes START-i i Ri me Rusinë

22 janar 2021 | 13:05

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se synon të kërkojë zgjatjen për pesë vjet të marrëveshjes START-i Ri me Rusinë.

Ky traktat për kontrollin e armëve bërthamore skadon në fillim të shkurtit.

“Presidenti ka qenë prej kohësh i qartë se traktati START-i Ri është në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Dhe, kjo zgjatje ka edhe më shumë kuptim kur marrëdhënia me Rusinë është konfliktuoze, siç është aktualisht”, tha sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

START-i i Ri, pakti i fundit i mbetur për kontrollin e armëve midis Uashingtonit dhe Moskës, kufizon numrin e kokave të shpërndara strategjike bërthamore në 1,550.

Administrata e ish-presidentit Donald Trump ka bërë disa përpjekje të vonshme për të negociuar kufizime mbi kategori të tjera të armëve bërthamore dhe për ta shtuar Kinën në traktat, por negociatat janë bllokuar.

Përpjekja për vazhdimin e marrëveshjes ka hasur po ashtu në komplikime, duke e lënë fatin e saj në duart e administratës Biden, vetëm dy javë para skadimit, më 5 shkurt.

Rusia e mirëpriti propozimin e administratës Biden për të zgjatur traktatin, por tha se duhet të shohë propozime konkrete nga pala amerikane./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një femër, e cila është shpallur si më e bukura…