ShBA-ja ul tarifat për makinat dhe produktet farmaceutike evropiane në 15 për qind

21 gusht 2025 | 16:23

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të ulin tarifat për makinat, produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit evropianë në 15 për qind, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë dhe Brukseli dhe të shqyrtuar nga “Politico” para publikimit.

Sipas “Politico”, dokumenti katërfaqësh, i datës 18 gusht, përcakton pikat kryesore të marrëveshjes së arritur nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kur të dy udhëheqësit u takuan në Skoci më 27 korrik.

Deklaratat e të dy udhëheqësve mbi marrëveshjen ndryshonin në atë kohë, veçanërisht për produktet farmaceutike, duke ngritur shqetësime se prodhuesit evropianë të ilaçeve mund të përjashtoheshin përfundimisht nga tregu amerikan.

Në një klauzolë tjetër kyçe, deklarata e përbashkët konfirmon se ShBA-ja do t’i ulin tarifat për makinat dhe pjesët e makinave në shumicën e rasteve nga 27.5 për qind në 15 për qind, por vetëm pasi BE-ja të miratojë zyrtarisht legjislacionin për të “eliminuar tarifat për të gjitha produktet industriale amerikane”.

BE-ja aktualisht vendos një tarifë prej 10 për qind për importet e makinave.

BE-ja do të zgjerojë aksesin në treg për produktet bujqësore amerikane që nuk janë të ndjeshme ndaj tregut. ShBA-ja, nga ana e saj po angazhohen të përjashtojnë avionët dhe pjesët e tyre, si dhe ilaçet gjenerike, nga tarifat më të larta, duke aplikuar tarifën e kombit më të favorizuar për këto importe.

Përveç kësaj, Uashingtoni dhe Brukseli do të bashkojnë forcat për të trajtuar mbiprodhimin e çelikut dhe aluminit dhe do të shqyrtojnë mundësinë e futjes së kuotave të tarifave. Kjo ishte një kërkesë kyçe e palës evropiane, me qëllim shmangien e një tarife prej 50 për qind për eksportet e çelikut dhe aluminit. BE-ja dhe ShBA-ja do të bashkëpunojnë gjithashtu kundër vendeve, të tilla si Kina, që vendosin kufizime në eksportet e mineraleve kritike.

Komisioni Evropian do të shqyrtojë gjithashtu mundësinë e ofrimit të “fleksibilitetit shtesë” në zbatimin e taksës së karbonit të BE-së për kompanitë amerikane, si dhe të sigurojë që detyrimet e raportimit të qëndrueshmërisë së BE-së (CSRD) ose rregullat e mbikëqyrjes së zinxhirit të furnizimit (CSDDD) “të mos vendosin kufizime të pajustifikuara në tregtinë transatlantike”.

Angazhimet e BE-së

Duke konfirmuar garancitë verbale të dhëna në Skoc. BE synon të furnizojë energji amerikane me vlerë 750 miliardë dollarë, duke përfshirë gaz natyror të lëngshëm, naftë dhe produkte të energjisë bërthamore, deri në vitin 2028. Gjithashtu do të blejë çipa të inteligjencës artificiale amerikane me vlerë “të paktën” 40 miliardë dollarë.

Përveç kësaj, “kompanitë evropiane pritet të investojnë 600 miliardë dollarë shtesë në sektorë strategjikë në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2028”, shton dokumenti.

Brukseli dhe Uashingtoni kanë negociuar këtë dokument që kur marrëveshja midis von der Leyen dhe Trumpit shmangu kërcënimin e presidentit amerikan për të vendosur një tarifë të përgjithshme prej 30 për qind  ndaj BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, ka…