ShBA-ja urdhëron largimin e familjarëve të punonjësve të ambasadës në Bjellorusi

01 shkurt 2022 | 11:58

Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka urdhëruar që familjarët e punonjësve në ambasadën amerikane në Bjellorusi dhe i ka paralajmëruar qytetarët amerikanë kundër udhëtimit drejt këtij shteti për shkak të “grumbullimit të pazakontë dhe shqetësues ushtarak rus” përgjatë kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën.

Ky veprim ka ardhur në kohën kur zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë se Rusia mund të organizojë pushtim të konsiderueshëm të Ukrainës, përfshirë rrugën përmes Bjellorusisë fqinje, shkruan “CNN”.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se ShBA-ja ka parë dëshmi se Moska synon që të grumbullojë mbi 30 mijë trupa në kufirin Bjellorusi – Ukrainë deri në fillim të shkurtit dhe se 5 mijë ushtarë ndodhen tashmë në atë zonë.

Në një udhëzim të përditësuar për udhëtime, të lëshuar të hënën, Departamenti i Shtetit ka thënë se “për shkak të një rritjeje të aktivitetit të pazakontë dhe shqetësues ushtarak rus afër kufirit me Ukrainën, shtetasit e ShBA-së, që ndodhen në Bjellorusi ose që po e shqyrtojnë udhëtimin në këtë shtet, duhet të jenë të vetëdijshëm se situata është e paparashikueshme dhe se ka tensione të ngritura në rajon”.

“Duke e marrë parasysh paqëndrueshmërinë e shtuar të situatës, shtetasit e ShBA-së këshillohen fuqishëm kundër udhëtimit në Bjellorusi”, është thënë në udhëzim, ku është shtuar se “aftësia e qeverisë amerikane për të ofruar shërbime rutinore ose urgjente për shtetasit e ShBA-së në Bjellorusi është tashmë e kufizuar ashpër për shkak të kufizimeve të qeverisë bjelloruse ndaj stafit të ambasadës së ShBA-së”.

Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit e ka autorizuar largimin e punonjësve të qeverisë amerikane nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë dhe e urdhëroi largimin e familjarëve të tyre atje “për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të veprimit ushtarak rus”. Ky veprim u kritikua nga qeveria ukrainase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banorët e “Big Brother VIP” janë ftuar të ndajnë me…